• e mërkurë, 04 mars 2026

Arbeloa për lëndimin e Mbapes: Na është shumë e qartë se çfarë nuk shkon dhe çfarë duam tani

Arbeloa për lëndimin e Mbapes: Na është shumë e qartë se çfarë nuk shkon dhe çfarë duam tani

Madrid, 2 mars 2026 (MIA) – Trajneri kryesor i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, deklaroi se të gjithë në ekip e kanë “shumë të qartë” problemin me gjurin e sulmuesit Kilian Mbape, por pranoi se pjesëmarrja e tij në ndeshjen kundër Mançester Sitit është ende e pasigurt.

Sulmuesi u la jashtë përbërjes për një kohë të pacaktuar javën e kaluar.

Francezi 27-vjeçar ndjen shqetësim në gjurin e majtë që nga fundi i dhjetorit 2025. Real Madrid ka tentuar të menaxhojë lëndimin me pushime periodike për lojtarin, duke përfshirë ndeshjen e dhjetorit kundër Mançester Sitit, gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës dhe ndeshjen e La Ligës kundër Real Sociedad. Klubi nuk ka publikuar një raport zyrtar mjekësor, por Arbeloa pranoi më herët gjatë javës, kur Mbape e humbi ndeshjen e kthimit të plejofit të Ligës së Kampionëve kundër Benfikës, se mungesa e tij “nuk do të jetë çështje ditësh, por më e gjatë”.

 “Na është shumë e qartë se çfarë nuk shkon dhe çfarë duam tani. Ne duam që Mbape të shërohet plotësisht nga shqetësimi dhe të kthehet 100 për qind, me besim dhe siguri të plotë – kur të ndihet krejtësisht i gatshëm,” deklaroi trajneri në konferencën për shtyp.

Arbeloa hodhi poshtë dyshimet se Mbape mund të po kursen veten për të shmangur përkeqësimin e lëndimit gjatë sezonit, duke pasur parasysh përgatitjet për Kampionatin e ardhshëm Botëror.

“Kam dhënë gjithçka që kisha për klubin tim kur luaja, dhe pastaj dhashë gjithçka nga vetja për ekipin kombëtar. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’u përgatitur për Kampionatin Botëror sesa të luash në maksimum për klubin tënd,” shtoi ai.

Kampionati Botëror 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik. ls/

Foto: EPA
 
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR