• e diel, 06 tetor 2024

Anketë: Vetëm 17 për qind e gjermanëve janë të gatshëm të marrin armët për të mbrojtur vendin e tyre

Anketë: Vetëm 17 për qind e gjermanëve janë të gatshëm të marrin armët për të mbrojtur vendin e tyre

Berlin, 20 dhjetor, 2023 (MIA) - Vetëm 17 për qind e gjermanëve janë të vendosur të marrin armët për të mbrojtur vendin e tyre në rast të një sulmi ushtarak, tregon anketa e re e publikuar sot.

Hulumtimi i porositur nga e përjavshmja "Shtern" tregoi se shumica e gjermanëve nuk janë të gatshëm të mbrojnë vendin e tyre me armë në një konflikt të mundshëm të armatosur.

Rreth 61 për qind e të anketuarve thanë se ka "pak gjasa" ose "definitivisht jo" që të regjistroheshin dhe të merrnin armët, edhe nëse vendi i tyre sulmohej nga një fuqi e huaj.

Nëntëmbëdhjetë për qind thanë se "ndoshta" do të merrnin pjesë në një luftë të armatosur kundër forcave okupuese.

Shifrat janë në kundërshtim të plotë me përpjekjet e qeverisë gjermane për të krijuar mbështetje publike për një agjendë më ambicioze të politikës së mbrojtjes.

Qeveria e koalicionit të kancelarit Olaf Sholc ka hequr dorë nga një politikë e kujdesshme e mbrojtjes pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe publikuar një plan ambicioz prokurimi për të modernizuar forcat e saj të armatosura.

Javën e kaluar, ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se Gjermania ka "rreth pesë deri në tetë vjet" për të qenë përsëri "gati për luftë" dhe të mund t'u përgjigjet kërcënimeve për Evropën. ls/

Foto: Arkiv 

 

QËNDRONI TË LIDHUR