• e shtunë, 23 nëntor 2024

Anketë e IRI për Ballkanin Perëndimor: Mbështetje e fortë për anëtarësimin në BE, sulmi rus ndaj Ukrainës i pajustifikuar

Anketë e IRI për Ballkanin Perëndimor: Mbështetje e fortë për anëtarësimin në BE, sulmi rus ndaj Ukrainës i pajustifikuar

Ushington, 17 prill 2024 (MIA) - Anketa e fundit shumëkombëshe për Ballkanin Perëndimor nga Qendra për Kontroll të Hulumtimeve (CISR) e Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) tregon mbështetje të gjerë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe një shumicë të fortë që e shohin luftën e Rusisë kundër Ukrainës si të pajustifikuar. Anketa, siç njoftoi IRI në faqen e internetit, është kryer në gjashtë vende të rajonit: Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë (BeH), Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi.

Kur u pyetën nëse do të mbështesnin anëtarësimin në BE nëse do të mbahej një referendum sot, në pesë nga gjashtë vendet një shumicë e fortë do të votonte për anëtarësimin në Union, nga 68 për qind në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinë në 92 për qind në Shqipëri. Në Serbi, më shumë se 40 përqind e të anketuarve mbështesin inkuadrimin në BE.

"Ka një dëshirë të fortë në të gjithë Ballkanin për të forcuar lidhjet me ekonomitë perëndimore dhe për t'u anëtarësuar në BE", thekson Pol Mekarti, drejtor për Evropën në IRI.

Ai shton se kjo mbështetje e gjerë tregon se njerëzit në mbarë rajonin besojnë se integrimi i mëtejshëm në Bashkimin Evropian mund të ndihmojë në arritjen e prosperitetit të qëndrueshëm.

Anketa zbuloi gjithashtu se shumica në pesë nga gjashtë vendet e anketuara besojnë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është plotësisht ose deri diku e pajustifikuar. Në Serbi, nga ana tjetër, një shumicë prej 49 për qind e justifikon plotësisht ose deri diku Rusinë.

"Edhe pse këto shifra janë kryesisht pozitive, reagimet serbe janë shqetësuese. Nëse paqja dhe siguria janë synime afatgjata në Ballkan, një opsion më i mirë për Serbinë është të refuzojë propozimet ruse dhe të ndërtojë lidhje më të forta me Perëndimin", tha Mekarti.

Hulumtimi u krye në emër të Qendrës për Kontroll të Hulumtimeve të IRI midis 2 shkurtit dhe 5 marsit  të vitit 2024. Të dhënat u mblodhën nëpërmjet një interviste ballë për ballë të administruar nga CAPI në shtëpitë e të anketuarve përmes një metode probabiliteti shumënivelësh të krijuar për të prodhuar rezultate në nivel kombëtar të mostrave përfaqësuese në çdo vend. Normat e përgjigjes variojnë nga 21 përqind në 40 përqind, theksojnë nga IRI. sa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR