• e mërkurë, 27 nëntor 2024

ANEB-i ende nuk ka qasje në çatinë e centralit bërthamor në Zaporozhje

ANEB-i ende nuk ka qasje në çatinë e centralit bërthamor në Zaporozhje

Vjenë, 21 korrik 2023 (MIA) - Ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) edhe më tej presin që të hyjnë në çatinë e termocentralit bërthamor në Zaporozhje, që është marrë nga forcat ruse, njoftoi DPA.

Ekspertët e ANEB-it  paraprakisht këtë javë kanë kryer inspektime të mëtejshme të centralit dhe zbuluan se nuk kishte "indikacione të dukshme të eksplozivëve apo minave", theksohet në raportin e ANEB-it të publikuar dje, shtoi agjencia gjermane.

Megjithatë, ANEB-i vazhdoi të kërkojë qasje në çatitë e reaktorëve dhe sallat e tyre të turbinave, thuhet në kumtesë, duke cituar drejtorin e përgjithshëm të ANEB-it, Rafael Grosi. 

"Ekspertët e ANEB-it  nuk raportuan se kishin dëgjuar shpërthime gjatë javës së kaluar, për dallim  nga java e kaluar kur ishte një dukuri pothuajse e përditshme", tha Grosi.

ANEB-i vazhdoi ta monitorojë disponueshmërinë e ujit për vendin, pas shkatërrimit të digës Kahovka në qershor dhe shterimin e mëpasshëm të rezervuarit të madh  në afërsi të centralit.  

"Ekipi i ANEB-it  raportoi se furnizimi me ujë i disponueshëm mbetet relativisht i qëndrueshëm, me ç'rast niveli i ujit po ulet për një centimetër në ditë për shkak të përdorimit dhe avullimit. Vendi vazhdon të ketë ujë të mjaftueshëm për muajt e ardhshëm”. 

 Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka akuzuar Rusinë për vendosjen e eksplozivëve në termocentralin bërthamor, ndërsa Moska ka akuzuar Kievin se planifikon të sulmojë centralin me raketa dhe dronë kamikazë.

Termocentrali më i madh bërthamor në Evropë është nën kontrollin rus që nga fillimi i marsit të vitit 2022, menjëherë pas pushtimit të Moskës. 

Të gjashtë reaktorët janë mbyllur që nga shtatori, raportoi DPA. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR