• e martë, 24 dhjetor 2024

Anadolia: Një përfaqësues i lartë amerikan pretendon se 90 për qind e marrëveshjes është dakorduar për armëpushim në Gaza dhe pengjet

Anadolia: Një përfaqësues i lartë amerikan pretendon se 90 për qind e marrëveshjes është dakorduar për armëpushim në Gaza dhe pengjet

Uashington, 5 shtator 2024 (MIA) - Një përfaqësues i lartë i administratës amerikane sot deklaroi se 90 për qind e kushteve për armëpushim në Gaza dhe marrëveshja për pengjet janë dakorduar, edhe pse çështjet kyçe lidhur me këmbimin e të burgosurve dhe Korridorin e Filadelfit mbesin të pazgjidhura, raportoi agjencia Anadolia.

"Nëntëdhjetë për qind e kësaj marrëveshje janë dakorduar, ndërsa kjo bazohet në kushtet që madje edhe Hamasi i kishte në propozimin e tij", deklaroi për gazetarët përfaqësuesi i administratës amerikane, i cili dëshironte të mbetet anonim.

Përfaqësuesi zyrtar tha se marrëveshja, për të cilën negociohet me muaj, përbëhet nga 18 paragrafë, nga të cilët 14 kanë "përfunduar". Ai theksoi se faza e parë e marrëveshjes prej tre fazave asnjëherë nuk ka përfshirë "tërheqjen e plotë të forcave izraelite".

"Kjo do të thotë tërheqje e forcave izraelite nga zonat me popullatë të dendur. Keni harta që janë bërë", tha zyrtari.

"Asgjë në marrëveshje nuk e përmend Korridorin e Filadelfit. Ajo që qëndron në marrëveshje është se ata tërhiqen nga të gjitha zonat me popullatë të dendur dhe u paraqit kontesti nëse Korridori i Filadelfit, i cili në tërësi është rrugës që gjendet në kufirin e Gazës dhe Egjiptit, është një zonë me popullatë të dendur".

Si përgjigje e këtij mospajtimi, Izraeli kohë më parë propozoi ulje të dukshme të pranisë ushtarake në korridor, për të cilën përfaqësuesi zyrtar tha se është "teknikisht në përputhje me marrëveshjen".

Përfaqësuesi identifikoi tre komponente bazë në marrëveshje: ndihmë humanitare dhe përfitime për njerëzit nga Gaza, këmbimin e pengjeve dhe të burgosurve dhe marrëveshje për armëpushim.

Përfaqësuesi zyrtar e përshkroi komponentën për këmbimin e të burgosurve si "mjaft të komplikuar".

"Ne vërtet kaluam shumicën e kohës sonë javën e kaluar në Doha për këtë çështje. Do të kishim lirimin e qindra të burgosurve palestinezë në këmbim të pengjeve, rreth 800, duke përfshirë disa të burgosur të profilit të lartë dhe disa me burgim të përjetshëm".

"Nuk do të hyj në të gjitha detajet e kësaj, por në thelb atë që Hamasi kërkon këtu, izraelitët kanë rënë dakord ta përmbushin sa më mirë që munden. Dhe me Hamasin, sinqerisht, për këtë çështje, ne kemi pasur një proces mjaft frustrues. Derisa të zgjidhet kjo, nuk do të arrihet asnjë marrëveshje", shtoi zyrtari.

Sipas përfaqësuesit zyrtar, propozimi i paraqitur nga SHBA, Egjipti dhe Katari më 16 gusht kishte për qëllim kapërcimin e mosmarrëveshjeve për shkëmbimin e të burgosurve. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR