• e shtunë, 23 nëntor 2024

Ambasada e SHBA-së pas aksionit policor në veri të Kosovës: Vazhdon përkeqësimi i marrëdhënieve të Prishtinës me Uashingtonin

Ambasada e SHBA-së pas aksionit policor në veri të Kosovës: Vazhdon përkeqësimi i marrëdhënieve të Prishtinës me Uashingtonin

Prishtinë, 31 gusht 2024 (MIA) – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kritikuar ashpër veprimin e djeshëm të Policisë së Kosovës për mbylljen e objekteve që përdoren nga institucionet vendore të drejtuara nga autoritetet në Serbi në komunat e Kosovës në veri të vendit, të banuara me shumicë serbe, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në reagim thuhet se SHBA-ja e përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e tyre për "veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë".

Ambasada thekson se aksioni i djeshëm nuk ka qenë i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare dhe thekson se çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të zgjidhen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ambasada amerikane tha se veprime të tilla në veri të vendit rrisin përkeqësimin e partneritetit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së dhe “përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale”.

“SHBA dhe partnerët tanë ndërkombëtarë vazhdimisht kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t'iu përgjigjur këtyre kërkesave është reflektim i një përkeqësimi real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e theksuam më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.

Ambasada e SHBA-së e theksoi mbështetjen që i ka dhënë Policisë së Kosovës me vite dhe theksoi se instrumentalizimi i vazhdueshëm i saj nga ana e Qeverisë për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimin për konsultim dhe koordinim të vazhdueshëm me bashkësinë ndërkombëtare.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në reagimin e misionit diplomatik amerikan në Prishtinë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR