• e mërkurë, 21 janar 2026

Aliu - Toshkovski: Qytetarët të mos përdorin mjete piroteknike, ato nuk janë lodër, pasojat janë serioze

Aliu - Toshkovski: Qytetarët të mos përdorin mjete piroteknike, ato nuk janë lodër, pasojat janë serioze

Shkup, 5 janar 2026 (MIA) – Ministritë e Shëndetësisë dhe Punëve të Brendshme kanë bërë thirrje deri te qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike, sepse, siç theksojnë, “ato nuk janë lodra dhe mund të shkaktojnë lëndime serioze, të përhershme dhe të pakthyeshme”.

Institucionet përsërisin se festat duhet të jenë kohë për gëzim dhe krijim kujtimesh të mira – pa rrezik për shëndetin dhe sigurinë.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në konferencën e sotme për shtyp informoi se shtatë persona u shtruan në spital natën e Vitit të Ri me lëndime nga përdorimi i mjeteve piroteknike.

"Mesazhi duhet të përsëritet çdo vit, sepse pasojat e përdorimit të palejuar të piroteknikës vazhdojnë të jenë të rrezikshme. Në natën e Vitit të Ri, dy të rritur dhe pesë fëmijë u shtruan në spital për shkak të lëndimeve të rënda në gishta, tek disa prej të cilëve është bërë amputim. Tre fëmijë u pranuan në Qendrën e emergjencës, dy në Klinikën e fëmijëve dhe dy të rritur në Klinikën e kirurgjisë plastike. Fakti që midis të lënduarve ka fëmijë dhe disa prej të cilëve është bërë amputim, flet qartë për seriozitetin e pasojave", ka thënë ministri Aliu.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski theksoi se institucionet kanë ndjekur një qasje sistematike ndaj problemit dhe informoi se në vitin 2025 u sekuestruan mbi 252 mijë copë piroteknikë, ndërsa 32 persona u privuan nga liria. Në një nga aksionet e fundit, siç tha ai, u sekuestruan mbi 35 ton piroteknikë, ndërsa është arrestuar edhe një nëpunës policie.

"Thuaj jo piroteknikës" është një fushatë që paraqet një shembull konkret se si veprimi i koordinuar i institucioneve mund të ketë ndikim në shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, veçanërisht të rinjve", ka thënë Toshkovski.

Drejtoresha e Klinikës për kirurgji plastike, Jasmina Gjorgjievska Pavllovska, kujtoi se fushata "Krijoni kujtime pa lëndime" është zbatuar për të nëntin vit radhazi.
"Le t'u dërgojmë porosi të gjithëve, gjithë popullit tonë - të kenë kujtime të bukura dhe të mos kenë lëndime, të jemi të gjithë të shëndetshëm", tha ajo.

Foto/video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR