• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Alievi dhe Putini biseduan me telefon për situatën në Nagorno-Karabah

Alievi dhe Putini biseduan me telefon për situatën në Nagorno-Karabah

Moskë, 21 shtator 2023 (MIA) - Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliev bisedoi me homologun e tij rus Vlladimir Putin për situatën në Nagorno-Karabah, ndërsa dy liderët ranë dakord që të intensifikojnë negociatat në nivelin më të lartë konform me marrëveshjet trepalëshe për të vendosur paqen dhe stabilitetin në rajon, raporton Agjencia Anadollu.

Kremlini kumtoi se Putini ka pasur një bisedë telefonike me Alievin në lidhje me Nagorno-Karabahun.

Thuhet se Putin dhe Alievi e tërhoqën vëmendjen për rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të marrëveshjeve të arritura me ndihmën e forcave paqeruajtëse ruse për ndërprerjen e plotë të konfliktit në Nagorno-Karabah, ndërsa në këtë kontekst është konstatuar rëndësia e madhe e negociatave ndërmjet autoriteteve të Azerbajxhanit dhe përfaqësuesit armenë nga Nagorno-Karabah e cila filloi me ndërmjetësimin e forcave paqeruajtëse ruse.

Gjatë bisedës, Putin theksoi rëndësinë e garantimit të të drejtave dhe sigurisë së popullatës armene në Nagorno-Karabah.

Putini dhe Alievi kanë arritur marrëveshje për të intensifikuar punën në rrugën e negociatave në nivelin më të lartë në përputhje me marrëveshjet trepalëshe, duke përfshirë përcaktimin e kufirit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe aktivizimin e përgatitjes për një marrëveshje paqësore midis Bakut dhe Jerevanit.

Aliev kërkoi falje dhe shprehu ngushëllime të thella për vdekjen tragjike të personelit ushtarak të forcave paqeruajtëse ruse në Nagorno-Karabah më 20 shtator dhe theksoi se do të kryhet një hetim gjithëpërfshirës për incidentin dhe se përgjegjësit do të marrin dënimin e duhur. qa/

Foto: arkivi i EPA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR