Al Maliki: Situata në Gazë është rezultat i dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për të mbrojtur Palestinën
- Shefi i diplomacisë së Autoritetit Palestinez, Riad al-Maliki, sot në seancën e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara deklaroi se gjendja në Rripin e Gazës është rezultat i dështimit të Komunitetit Ndërkombëtarë për ta mbrojtur Palestinën.
- Post By Qefsere Abduli
- 19:49, 29 nëntor, 2023
Nju - Jork, 29 nëntor 2023 (MIA) - Shefi i diplomacisë së Autoritetit Palestinez, Riad al-Maliki, sot në seancën e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara deklaroi se gjendja në Rripin e Gazës është rezultat i dështimit të Komunitetit Ndërkombëtarë për ta mbrojtur Palestinën.
"Na nevijitet mbrojtje ndërkombëtare dhe aksion në nivel ndërkombëtar për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të parandaluar përsëritjen e këtyre krimeve që ndodhin çdo ditë dhe në mes të ditës", tha Al Maliki, duke theksuar se ajo që populli palestinez po përjeton tani është rezultat i dështimit të komunitetit ndërkombëtar për të siguruar mbrojtjen e duhur, raportuan agjencitë.
Ministri palestinez i Punëve të Jashtme bëri thirrje për t'i dhënë fund masakrës në Gazë, duke shtuar se numri i viktimave të sulmeve izraelite i ka kaluar 15.000 persona.
"Përshkallëzimi rajonal nuk mund të shmanget pa i dhënë fund sulmeve izraelite ndaj popullit palestinez në Gazë. Jemi në një udhëkryq historik", theksoi ai, duke shtuar se palestinezët përballen me një "kërcënim ekzistencial". qa/
Foto: Arkivi i MIA-s