• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dënime për sulmin ndaj kryeministres daneze në sheshin në Kopenhagë

Dënime për sulmin ndaj kryeministres daneze në sheshin në Kopenhagë

Kopenhagë, 8 qershor 2024 (MIA) – Liderët e dënuan ashpër sulmin ndaj kryeministres daneze Mete Frederiksen në sheshin qendror në Kopenhagë, duke shtuar valën alarmante të dhunës politike që trondit Evropën, njoftoi DPA.

Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen në një postim në X e quajti atë një "akt të neveritshëm që bie ndesh me gjithçka që ne besojmë dhe për të cilën luftojmë në Evropë".

Frederiksen, 46 vjeç, është "tronditur nga incidenti" mbrëmë në të cilin u godit ndërsa ishte në Sheshin Kultorvet, kumtoi kabineti i saj, por nuk u dhanë detaje të mëtejshme për lëndimet e mundshme.

Policia kumtoi se arrestoi një 39-vjeçar pas sulmit dhe se ai do të dalë sot në gjykatë në Kopenhagë. Ata nuk thanë se si u zhvillua sulmi. Dëshmitarët okularë deklaruan për mediat daneze se kryeministrja në këmbë u largua nga vendi i ngjarjes.

Incidenti ndodhi përderisa 27 vendet e BE-së zgjedhin qindra anëtarë të Parlamentit Evropian gjatë një votimi katër-ditor që filloi të enjten. Votuesit në Danimarkë dalin nesër në kutitë e votimit.

“Mete është një kolege shumë e mirë dhe një partner i mençur. Unë sinqerisht shpresoj që ajo nuk është lënduar, shkroi kryeministri suedez Ulf Kristerson në X. "Një sulm ndaj një lideri të zgjedhur në mënyrë demokratike është gjithashtu një sulm ndaj demokracisë sonë."

Roberta Mecola, kryetarja e Parlamentit Evropian, shkroi: “Sulmi i sontëm ndaj kryeministres daneze është i tmerrshëm. Dhuna nuk ka vend në politikë. Qëndro e fortë, Mete!”

Është shqetësuese të dëgjosh se kryeministrja Frederiksen u sulmua në një shesh publik në Kopenhagë. Ne nuk mund të pranojmë apo normalizojmë akte të tilla agresioni. Është e rrezikshme për demokracitë tona”, tha kryeministri kanadez Xhastin Trudo. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR