• e enjte, 26 dhjetor 2024

Aktivizohet alarmi edhe në Greqi pas sulmit terrorist në Moskë

Aktivizohet alarmi edhe në Greqi pas sulmit terrorist në Moskë

Athinë, 27 mars 2024 (MIA) - Policia greke dhe Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës e kanë rritur nivelin e kujdesit me intensifikimin e kontrolleve në pikat hyrëse në Greqi, gjegjësisht vendkalimet kufitare, por edhe në qendrat e pranimit për refugjatë dhe emigrantë, pas sulmit terrorist në Moskë, njoftuan mediat greke, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. 

Gazeta "Katimerini" shkruan se një nga arsyet për shqetësimin është përpjekja e ISIS-K, gjegjësisht fraksionit të Shtetit Islamik në provincën Horasan që t'i zgjerojë aktivitetet nga Azia qendrore, Uzbekistani, Taxhikistani ose Kirgistani drejt Evropës. 

"Burime kompetente sqaruan se kontrollet do të forcohen në qendrat e pranimit të emigrantëve, si dhe në bashkësitë e shtetasve të Afganistanit dhe Pakistanit që jetojnë në Greqi. Dhe kjo sepse në mesin e atyre që janë rekrutuar nga ISIS-K janë pjesëtarë të bashkësisë afgane, por edhe të bashkësive pakistaneze, të cilat janë në konflikt me regjimin taleban. Vëmendja e autoriteteve greke është përqendruar edhe në rrjetet sociale (Tik Tok, Telegram) ku sipas informacioneve ISIS-K është duke rekrutuar anëtarë të rinj", shkruan "Katimerini".

"Proto tema" duke iu referuar burimeve të saja shkruan se kontrollet në vendkalimet kufitare do të fuqizohen sepse ekziston mundësia që njerëzit të cilët ndoshta kanë lidhje me ISIS-K të bëjnë përpjekje të hyjnë në Greqi, ndërsa pastaj ta lëshojnë Evropën. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR