• e enjte, 26 dhjetor 2024

Agjencitë e KB-së të revoltuar nga sulmi ndaj spitaleve në Gaza: Ku të shkojnë këta fëmijë dhe familje?

Agjencitë e KB-së të revoltuar nga sulmi ndaj spitaleve në Gaza: Ku të shkojnë këta fëmijë dhe familje?

Rafah, 19 dhjetor 2023 (MIA) - Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara sot kanë shprehur zemërim dhe mosbesim për gjendjen e spitaleve në Gaza, ku të plagosurve u mungojnë barnat elementare, ndërsa fëmijët me gjymtyrë të amputuara vdesin gjatë shërimit.

"Jam i indinjuar që fëmijët që janë duke u kuruar nga amputimet në spital vdesin në të njëjtat spitale", tha Xhejms Elder, zëdhënës i Fondit të OKB-së për fëmijët.

Spitali Naser, spitali më i madh në enklavën palestineze ende në funksion, është bombarduar dy herë në 48 orët e fundit, shtoi Elder.

Një nga viktimat e këtyre sulmeve të fundit është një vajzë trembëdhjetë vjeçare, Dina, e cila i mbijetoi sulmit në shtëpinë e saj, ku mbeti e vrarë familja e saj.

"Ku duhet të shkojnë këta fëmijë dhe familje? Ata nuk janë të sigurt në spitale, as në strehimore, ndaj nuk janë të sigurt as në të ashtuquajturat zona të sigurta", theksoi Elder.

"Përfundimisht, jam i tërbuar sepse hipokrizia shkatërron çdo ndjeshmëri", tha ai, duke shtuar se "është i tërbuar me veten sepse nuk mund të bëjë asgjë më shumë".

Margaret Haris, zëdhënëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e përshkroi situatën në spitalet e Gazës si "absolutisht e pabesueshme" dhe "e pakuptueshme".

"Ata nuk i kanë gjërat më elementare. Njëri nga kolegët e mi përshkroi njerëz të shtrirë në dysheme, duke u shtrënguar nga dhimbja, në agoni, por që nuk kërkonin asgjë për t'ua lehtësuar dhimbjen. Jo, ata qanin për ujë”, tha ajo.

“Është e pamundur të besohet se bota lejon që diçka e tillë të vazhdojë të ndodhë”, tha Haris.

Më herët sot, sulmet izraelite vranë të paktën 28 ​​njerëz në Rripin jugor të Gazës dhe ushtarët izraelitë sulmuan një nga spitalet e fundit funksionale në pjesën veriore të enklavës, në mes të një ofensive të vazhdueshme kundër grupit islamik palestinez Hamas.

Forcat izraelite sulmuan spitalin Al Ahli në qytetin e Gazës gjatë natës, duke shembur një mur në hyrje dhe duke ndaluar një numër të stafit, thuhet në komunikatën e kishës që e drejton spitalin. mb/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR