Afganistani dhe Pakistani, me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Katarit, u dakorduan për vazhdimin e armëpushimit
- - Pakistani dhe Afganistani u dakorduan të vazhdojnë armëpushimin pas bisedimeve të mbajtura në Stamboll të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Katari, theksohet në kumtesën e përbashkët të publikuar mbrëmë nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.
- Post By Ramize Qamili
- 09:28, 31 tetor, 2025
Stamboll, 31 tetor 2025 (MIA) - Pakistani dhe Afganistani u dakorduan të vazhdojnë armëpushimin pas bisedimeve të mbajtura në Stamboll të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Katari, theksohet në kumtesën e përbashkët të publikuar mbrëmë nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.
"Të gjitha palët u dakorduan të krijojnë mekanizëm për monitorimin dhe verifikimin që do të sigurojë ruajtjen e paqes dhe do të vendosë ndëshkime ndaj palës që shkel marrëveshjen", bëhet e ditur në kumtesën pas bisedimeve të mbajtura midis 25 dhe 30 tetorit, njoftuan mediat britanike.
Afganistani dhe Pakistani u dakorduan të vazhdojnë bisedimet e paqes në Stamboll më 6 nëntor dhe të ruajnë armëpushimin deri atëherë, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, sipas TRT World.
"Të gjitha palët u dakorduan të vazhdojnë armëpushimin. Modalitetet e zbatimit të saj do të shqyrtohen dhe vendosen në një takim të nivelit të lartë në Stamboll më 6 nëntor 2025", njoftoi ministria turke.
Në ndërkohë, Al Xhezira theksoi se një zëdhënës i qeverisë afgane vlerësoi se negociatat "u zhvilluan në atmosferë pozitive".
Përleshjet shpërthyen pas sulmeve ajrore pakistaneze ndaj Kabulit në fillim të këtij muaji, duke bërë që Afganistani të përgjigjet me sulme ndaj pozicioneve ushtarake pakistaneze përgjatë kufirit të gjatë 2.600 kilometra.
Armata pakistaneze javën e kaluar publikoi se pesë ushtarë dhe 25 anëtarë të lëvizjes talebane pakistaneze ishin vrarë në përleshjet në zonën kufitare. rq/
Foto: arkivi i MIA-s