• e martë, 26 nëntor 2024

Aeroporti në Alepo është dëmtuar nga një sulm ajror izraelit

Aeroporti në Alepo është dëmtuar nga një sulm ajror izraelit

Damask, 7 mars 2023 (MIA) - Nga një sulm ajror izraelit sot paradite është dëmtuar aeroporti në Alepo dhe tani nuk është në funskion, informuan mediat shtetërore siriane.

Duke iu referuar një burimi ushtarak, agjencia shtetërore e lajmeve SANA njoftoi se Izraeli ka "kryer sulm ajror nga drejtimi i Detit Mesdhe, në perëndim të Latakisë, duke e sulmuar aeroportin ndërkombëtar në Alepo" dhe se është shkaktuar dëm material. Deri më tani nuk është e qartë nëse ka viktima.

Edhe pse Izraeli gjatë viteve të kaluara qindra herë sulmoi pjesë të Sirisë të cilat janë nën kontroll të qeverisë së Damaskut, duke përfshirë edhe aeroportet në Damask dhe Alepo, vendi rrallë e merr përgjegjësinë.

Izraeli, megjithatë, konfirmoi se i sulmon bazat e milicive që kanë lidhje me Iranin, siç është Hezbollahu i Libanit, i cili dërgoi mijëra luftëtarë që t'i mbështesin forcat e presidentit sirian, Bashar al Asad.

Alepo, i cili përjetoi shkatërrime të mëdha në luftën civile siriane, përsëri ishte dëmtuar rëndë në tërmetin shkatërrues me fuqi prej 7,8 ballë sipas shkallës Rihter i cili i goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt.

Sulmet ajrore izraelite më 19 shkurt shënjestruan zona të banuara në kryeqytetin sirian Damask, me çka humbën jetën të paktën pesë persona, ndërsa ishin lënduar 15, informojnë mediat shtetërore siriane. 

Më 2 janar armata siriane njoftoi se armata izraelite ka gjuajtur raketa drejt aeroportit ndërkombëtar në Damask. Në atë sulm humbën jetën dy ushtarë, ndërsa aeroporti është dëmtuar dhe nuk është në funskion. Autoritetet izraelite frikësohen se aeroporti përdoret për dërgesën e armëve iraniane. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR