Aeroportet në Berlin dhe Bruksel paralajmërojnë për vonesa për shkak të sulmit kibernetik
- – Aeroportet në Berlin dhe Bruksel sot përballen me pasoja të sulmit kibernetik, njoftoi DPA.
- Post By Fitore Curri
- 11:57, 20 shtator, 2025
Bruksel, 20 shtator 2025 (MIA) – Aeroportet në Berlin dhe Bruksel sot përballen me pasoja të sulmit kibernetik, njoftoi DPA.
Sipas kumtesës në ueb-faqen e aeroportit në Bruksel, sistemi kompjuterik i ofruesit të shërbimeve për regjistrim të udhëtarëve ishte sulmuar mbrëmë. Priten ndërprerje të konsiderueshme në punën e aeroportit, ndërsa paralajmërohet edhe për vonesa dhe anulime të fluturimeve.
Në aeroportin i cili i shërben kryeqytetit belg, regjistrimi i udhëtarëve për momentin bëhet vetëm me dorë, derisa ofruesi i shërbimeve po bën përpjekje ta zgjidhë problemin.
Udhëtarët duhet ta kontrollojnë gjendjen e fluturimit të tyre para nisjes dhe të lejojnë mjaftueshëm kohë për qëndrim në aeroport, njoftoi ofruesi.
Aeroporti gjerman Berlin – Branderburg, gjithashtu, njoftoi se ofruesi i shërbimeve për udhëtarë ishte sulmuar mbrëmë. Aeroporti shtoi se pastaj i ka ndalur sistemet e tij dhe i ka paralajmëruar udhëtarët që të presin kohë më të ngadalshme të regjistrimit dhe hipjes, si dhe vonesa të mundshme.
“Vetë aeroporti nuk ishte cak i sulmit kibernetik dhe ishte prekur vetëm indirekt”, njoftoi aeroporti. Shtoi se ofruesin e njëjtë të shërbimeve e shfrytëzojnë shumë aeroporte në Evropë të cilat gjithashtu ishin goditur.
Aeroporti londinez Hitrou, gjithashtu, njoftoi në ueb-faqen e tij se fluturimet mund të anulohen sepse ofruesi i jashtëm i shërbimeve për regjistrim të cilin e shfrytëzojnë disa kompani ajrore për momentin po zgjidh “problem teknik”.
Ende nuk është e qartë se cilët aeroporte të tjera janë goditur.
Aeroportet në Frankfurt dhe Hamburg në Gjermani deklaruan se nuk janë goditur dhe se punojnë normal. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s