• e enjte, 26 dhjetor 2024

Abazoviq: Qeveria dhe Këshilli për Siguri Kombëtare i Malit të Zi do të diskutojnë sigurinë e institucioneve

Abazoviq: Qeveria dhe Këshilli për Siguri Kombëtare i Malit të Zi do të diskutojnë sigurinë e institucioneve

Podgoricë, 4 mars 2023 (MIA) - Kryeministri i Malit të Zi në mandat teknik Dritan Abazoviq ka njoftuar sot se çështja e sigurisë së institucioneve do të hapet në seancën e jashtëzakonshme të Qeverisë dhe në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Abazoviq dhe ministri i Punëve të Brendshme Filip Axhiq i kanë vizituar të plagosurit nga sulmi i djeshëm me bombë në Gjykatën Themelore në Podgoricë, njofton portali malazez CDM.

“Ajo që është më e rëndësishme në këtë moment është që të gjithë pacientët janë jashtë rrezikut. Gjithçka është fat në fatkeqësi që pas ngjarjes tragjike të djeshme nuk kemi më viktima”, tha Abazoviq pas vizitës në Qendrën Klinike të Malit të Zi.

Sipas tij, ngjarja e djeshme nuk mund të vihet në kuadrin e disa ngjarjeve të ndodhura më parë, ku ishte paralajmëruar aktivizimi i mjeteve shpërthyese.

“Ky është një rast i izoluar, bëhet fjalë për një njeri që ka pasur probleme të caktuara me të cilat është dashur të merren të gjitha institucionet tjera”, ka theksuar ai.

QËNDRONI TË LIDHUR