• e enjte, 26 dhjetor 2024

Abazoviq në Kosovë, takohet me Kurtin dhe kryetarin e Prishtinës Rama

Abazoviq në Kosovë, takohet me Kurtin dhe kryetarin e Prishtinës Rama

Prishtinë, 14 prill 2023 (МИА) – Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në ditën e dytë të vizitës në Prishtinë, është takuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti me të cilin kanë nënshkruar marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Abazoviq sot u prit edhe nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili ia dhuroi “Çelësin e kryeqytetit”.

Kryeministri i Malit të Zi gjithashtu gjatë qëndrimit të tij në Kosovë u takua edhe me ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në vijim të vizitës së tij, që pritet të mbyllet të shtunën, Abazoviq ka paralajmëruar takim edhe me drejtues të partive politike parlamentare. Ai do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Po ashtu, Abazoviq do të takojë zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet jo shumicë.

Abazoviq do të vizitojë Rezidencën historike të Ibrahim Rugovës dhe do bëj homazh te varri i tij në Prishtinë, si dhe do bëj homazhe te varri i profesorit universitar dhe poetit nga Ulqini, Basri Çapriqit.

Abazoviq në intervistën për TV Klan deklaroi se Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë që u arrit në Bruksel dhe në Ohër është e mirë për të gjithë rajonin.

“Unë e përsëris mendimin tim dhe të qeverisë, por sidomos mendimin tim personal, se arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë ka një implikim jashtëzakonisht të mirë për të gjithë në rajon. E kuptoj se kjo është çështje mes dy shtetesh, dhe ne nuk kemi ambicie për të hyrë aty dhe të përzihemi, dhe as nuk na takon. Vetëm si dikush që është me të vërtet mik, vëlla, kush ia don të mirën, mendoj se do të kishte qenë shumë mirë për t’u arritur marrëveshja përfundimtare. Do të kishte qenë boost i madh për të gjithë”, ka thënë Abazoviq.

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR