• e enjte, 26 dhjetor 2024

Është shtyrë tërheqja e forcave të koalicionit nga Iraku

Është shtyrë tërheqja e forcave të koalicionit nga Iraku

Bagdad, 16 gusht 2024 (MIA) - Iraku sot kumtoi se do ta zgjatë përfundimin e misionit të koalicionit ndërkombëtar antixhihadist të udhëhequr nga SHBA-ja, për shkak të situatës momentale në rajon.

Në Irak janë dislokuar gjithsej 2.500 ushtarë amerikanë, ndërkaq në Siri rreth 900, si pjesë e koalicionit ndërkombëtar të formuar në vitin 2014 për luftë kundër Shtetit Islamik. Gjatë muajve të fundit anëtarët e koalicionit kanë qenë objektiv i dhjetëra sulmeve me dronë dhe raketa në Irak dhe në Siri.

Më herët ishte parashikuar një tërheqje graduale e trupave të koalicionit. Në kumtesën e sotme të Ministrisë së Mbrojtjes së Irakut ceket një datë e re për tërheqjen e forcave të koalicionit.

Dimrin e kaluar, Rezistenca Islamike në Irak, një aleancë e grupeve të armatosura proiraniane irakiane, mori përgjegjësinë për më shumë se 175 sulme me raketa dhe dronë në Irak dhe Siri kundër trupave amerikane.

Si hakmarrje, SHBA-ja kreu disa sulme vdekjeprurëse kundër fraksioneve proiraniane në këto dy vende.

Në gusht, sulmet e reja me raketa ishin kahëzuar drejt një baze ushtarake në Irak ku janë vendosur trupat e koalicionit, pas çka kanë plagosur shtatë amerikanë.

Sulmet po ndodhin në një kohë të tensionuar pasi Irani dhe aleatët e tij në Liban, Irak dhe Jemen kërcënojnë Izraelin me hakmarrje për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Hanija në Teheran në fund të korrikut dhe vrasjen e një lideri ushtarak të Hezbollahut i cili u vra në një sulm izraelit në afërsi të Bejrutit. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR