• e enjte, 26 dhjetor 2024

Çuçi: Dhuna e MEK-ut ndaj policisë është e pajustifikuar, u kemi ofruar gjithçka sipas marrëveshjes

Çuçi: Dhuna e MEK-ut ndaj policisë është e pajustifikuar, u kemi ofruar gjithçka sipas marrëveshjes

Tiranë, 20 qershor 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi, në konferencë për shtyp me drejtorin e Përgjithshëm të policisë shtetërore, Muhamet Rumbullaku, prezantoi detaje nga kontrolli i zhvilluar sot në kampin e MEK-ut në Manz, në afërsi të Durrësit, ku është vërejtur edhe një përplasje me policinë.

Çuçi deklaroi se dhuna e ushtruar ndaj policisë së shtetit nga anëtarë të organizatës MEK është e pajustifikuar dhe e dënueshme dhe është shkelje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes me ta.

"Më vjen keq, madje ndjej indinjatë për reagimin e anëtarëve të organizatës MEK ndaj policisë së shtetit gjatë aksionit. Më vjen keq që Shqipëria u ofroi atyre gjithçka që lidhej me strehën e tyre për qëllime humanitare sipas marrëveshjes, u ofroi ndihmë, siguri dhe madje u ofroi mbrojtje nga kërcënimet që vinin nga shërbimet sekrete të Iranit, nënvizoi Çuçi.

Ai shtoi se “kishim shqetësime për mosrespektim të marrëveshjes, pasi së fundmi aktiviteti i tyre politik tërhoqi vëmendjen e Prokurorisë në Shqipëri”.

"Përsa i përket vdekjes së personit në kamp, ​​ajo nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i forcave të policisë. Ne jemi në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore, ka fotografi të policisë dhe të vetë pjesëtarëve brenda kampit, iu përgjigj Çuçi akuzave nga muxhahidët se njëri prej tyre vdiq nga dhuna policore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rumbulaku tha ndër të tjera se janë sekuestruar serverë dhe pajisje kompjuterike në 17 hapësira.

"Janë plagosur 15 policë, si dhe janë dëmtuar disa automjete policore. Nga ana e tyre janë lënduar 21 qytetarë, 15 prej të cilëve kanë dalë nga qendrat spitalore dhe janë kthyer në vendbanimin e tyre", tha Rumbullaku.

Policia e Shtetit ka publikuar edhe një video të realizuar me dron të kontrollit të sotëm në kamp.

Ndryshe nga pretendimet e anëtarëve të MEK-ut se policia e shtetit ka ushtruar dhunë ndaj tyre, duket se oficerët kryenin vetëm kontrolle dhe shmangnin kontaktet fizike me banorët e kampit.

Në video shihet se banorët kanë bllokuar mjetet e policisë, ndërsa policia ka ndërhyrë për t'i larguar.

Në kamp janë të vendosur mbi tre mijë muxhahid. ls/

Foto: MPB-ja e Shqipërisë

QËNDRONI TË LIDHUR