• e mërkurë, 02 tetor 2024

Çoviq: Situata politike në BeH është e keqe

Çoviq: Situata politike në BeH është e keqe

Sarajevë, 9 korrik 2024 (MIA) - Kryetari i HDZ-së në BeH, Dragan Çoviq paralajmëroi se situata politike në Bosnja e Hercegovinë është e keqe, gjë që e vështirëson procesin e integrimit evropian për të cilin të gjithë në mënyrë verbale bëjnë përpjekje, por beson se kjo është pjesë e sjelljes së zakonshme në prag të zgjedhjeve lokale, të caktuara për në tetor dhe pastaj pret që gjendja të ndryshohet.

"Jam i bindur se kemi bazë të mjaftueshme për ta filluar punën intensive të Qeverisë në tetor, ndërsa deri atëherë të bëjmë përpjekje ta "lëshojmë topin" dhe të shmangim ngritjen e tensioneve", deklaroi Çoviq për agjencinë Fena.

Çoviq i sheh si të rregullta tensionet aktuale politike në BeH dhe në rajon në korrik dhe beson se pas përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, të gjithë politikanët dhe institucionet do të marrin përgjegjësinë për proceset e reformës dhe zhvillimit me të cilat po përballet BeH. Hapi i parë, beson ai, duhet të jetë miratimi i buxhetit në parlamentin e shtetit, për të cilin tashmë është rënë dakord nga Këshilli i Ministrave dhe Presidenca e BeH.

Pas zgjedhjeve të tetorit, Çoviq pret miratimin e ligjeve të tjera reformuese, të cilat duhet të sigurojnë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian gjatë vjeshtës, pra gjatë periudhës së presidencës hungareze me Këshillin e BE-së.

Ai përkujtoi se ka shumë çështje të pazgjidhura në 20 vitet e fundit, ndërsa kanë të bëjnë me mbrojtjen e strukturave kushtetuese të shtetit, si dhe në ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Me rregullat e reja zgjedhore, pohoi ai, marrëdhëniet e përgjithshmme në vend mund të relaksohen.

"Duhet të përshtatemi me mjedisin në Evropë dhe jo të përpiqemi të arrijmë disa qëllime që nuk u arritën në luftë. Bosnja e Hercegovina është një shtet i pandashëm që ka vendin e vet në familjen evropiane. Nga ana tjetër, ata që avokojnë për një Bosnjë e Hercegovinë civile ose për centralizimin e plotë të vendit duhet të kuptojnë se ajo është po aq e dëmshme për BeH-në sa ata që thonë se ajo duhet të ndahet, as nuk mund të zbatohet", përfundoi Çoviq. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR