• e mërkurë, 13 nëntor 2024

Çitaku: Viti më i vështirë dhe më i pasuksesshëm në politikën e jashtme të Kosovës që nga pavarësia

Çitaku: Viti më i vështirë dhe më i pasuksesshëm në politikën e jashtme të Kosovës që nga pavarësia

Prishtinë, 28 dhjetor 2023 (MIA) - Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova po përmbyll vitin më të rëndë dhe më të dështuar në politikën e jashtme, që nga shpallja e pavarësisë, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Çitaku në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se viti 2023 po përfundon pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe pa avancim të agjendës eurointegruese dhe nën sanksione nga ana e Bashkimit Evropian.

Ajo tha se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar nga kakofonia, mungesa e vizionit dhe shumësia e skandaleve.

"Suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj, pa asnjë rezultat për Kosovën. Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut. Dhe, si rrjedhojë, përfunduam me një marrëveshje, e cila nuk është, as gjithëpërfshirëse, as finale e as me njohje reciproke në qendër. Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, ka thënë Çitaku.

Sipas ish shefes së diplomacisë dhe ambasadore e Kosovës në SHBA "nuk ka njeri me mendje të shëndosh", i cili do ta donte këtë lloj pasqyre negative në politikën e jashtme.

"Në një vit, kur u konkretizua procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qoftë me miratimin e statusit kandidat, qoftë me hapjen e negociatave për Bosnje Hercegovinën, Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, aplikacioni i Kosovës mbeti i patrajtuar dhe Kosova vazhdon të mos ketë qasje në qindra miliona euro të fondeve zhvillimore të dedikuara për Ballkanin Perëndimor", ka shtuar ajo.

Çitaku ka rikujtuar se PDK-ja ka ofruar mbështetje në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, ku kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, dhe zyrtarët e tjerë të partisë, në takimet dhe vizitat e shumta jashtë vendit, kanë insistuar që qytetarët e Kosovës të mos e bartin koston e sjelljes së papërgjegjshme dhe avantureske të qeveritarëve.

"Do të doja që në këtë konferencë të flisnim për tema tjera, sepse sukseseve të Kosovës në politikën e jashtme, duhet t’iu gëzohemi të gjithë. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet për të gjetur qoftë edhe një sukses të Kosovës në politikën e jashtme, ishte e pamundur. Realisht, politika e jashtme e Republikës sonë këtë vit ishte inekzistente. Në vitin tjetër me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kjo mendësi rrënuese dhe përçarëse e kësaj Qeverie do të marrë fund", ka përfunduar Çitaku. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR