• сабота, 23 ноември 2024

Vetëm për tri vite për 65 për qind janë rritur zonat e konfliktit në botë

Vetëm për tri vite për 65 për qind janë rritur zonat e konfliktit në botë

Londër, 21 nëntor 2024 (MIA) - Në tre vitet e fundit për 65 për qind janë rritur zonat në botë që janë të prekura nga konfliktet, kumtoi organizata që analizon rreziqet "Verisk Mejplkrodt" (Verisk Maplecroft).

Konfliktet e brendshme apo konfliktet midis vendeve shtrihen në 6.15 milionë kilometra katrorë, që është 4.6 për qind e tokës, ndërsa në vitin 2021 përqindja ishte 2.8 për qind. Në të njëjtën periudhë për 29 për qind është rritur numri i viktimave.

Përplasjet dhe trazirat që nga viti 2021 janë përhapur dhe intensifikuar në Ukrainë, Mjanmar, në Lindjen e Mesme dhe në "korridorin e konfliktit" në rajonin e Sahelit të Afrikës. Një rritje e konsiderueshme e rrezikut nga viti 2021 është vërejtur në një total prej 27 vendesh, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë, Indinë, Indonezinë dhe Tajlandën.

Në rajonin Sahel dhe Bririn e Afrikës, nga Mali në Somali, dhuna është dyfishuar në tre vitet e fundit. Në Burkina Faso, 86 për qind e territorit është prekur nga konflikti dhe dhunë e madhe ka shpërthyer në Sudan dhe në Etiopi.

Drejtori i hulumtimit të "Verisk Mejplkroft", Hugo Brenan theksoi se konfliktet e fundit kanë pasur ndikime të gjera në ekonomi, rritjen ekonomike dhe sigurinë ushqimore, duke përmendur ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit global për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia e cila kërcënoi eksportet e grurit të Lindjes së Mesme dhe në Afrikë.

"Rreziqet e konfliktit janë rritur prej disa vitesh dhe bizneset globale duhet të mendojnë për këtë. Mund të shikoni mediat ndërkombëtare dhe të mendoni: Unë nuk kam një fabrikë në Sudan, nuk më prek mua, por për shkak të ndikimit në zinxhirin e furnizimit, një konflikt në një vend të largët mund të ndikojë tek ju", theksoi Brenan.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës ndërkombëtare SOS Fshati i Fëmijëve, Anxhela Rosales, deklaroi se 470 milionë fëmijë janë të prekur nga luftërat në mbarë botën, duke përfshirë Ukrainën, Sudanin, Rripin e Gazës dhe Libanin. Ajo shtoi se fëmijët janë veçanërisht të cenueshëm ndaj shfrytëzimit, trafikimit dhe abuzimit. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан