• недела, 29 септември 2024

Trupat amerikane po përgatiten të largohen nga Iraku, të paktën pjesërisht

Trupat amerikane po përgatiten të largohen nga Iraku, të paktën pjesërisht

Uashington, 27 shtator 2024 – SHBA-ja mbrëmë kumtoi se kanë arritur një marrëveshje me Qeverinë e Irakut për t'i dhënë fund misionit ushtarak të koalicionit kundër grupit të Shtetit Islamik deri në vitin e ardhshëm.

Ushtarët amerikanë po përgatiten të largohen nga disa baza ku kanë qenë në vend prej dy dekadash.

Administrata e Presidentit Xho Bajden ka refuzuar të thotë se sa prej rreth 2.500 trupave amerikane do të mbeten atje ose të konfirmojë se një tërheqje e plotë nga Iraku është e pashmangshme.

“Është e sigurt të thuhet se prania jonë atje do të ndryshojë”, tha zëvendës sekretarja për mediat e Shtëpisë së Bardhë, Sabrina Sing.

Bazat amerikane janë shënjestruar rregullisht nga milicitë e mbështetur nga Irani në vitet e fundit. Këto sulme u intensifikuan vitin e kaluar dhe këtë pranverë pas shpërthimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit palestinez në Gaza gati një vit më parë.

Zyrtarët irakianë prej vitesh kanë bërë thirrje herë pas here për tërheqjen e forcave të koalicionit, ndërsa bisedimet zyrtare për të zvogëluar praninë amerikane vazhdojnë tashmë disa muaj.

Përfaqësuesit amerikanë deklaruan se tashmë kanë filluar përgatitjet që misioni i koalicionit kundër Shtetit Islamik të përfundojë deri në fund të shtatorit 2025 dhe që trupat të largohen nga disa baza. Në fazën e dytë, SHBA do të vazhdojë të operojë nga Iraku deri në fund të vitit 2026 në operacionet kundër Shtetit Islamik në Siri.

Nga ana tjetër, misioni ushtarak amerikan do të shndërrohet në një marrëdhënie dypalëshe sigurie, thanë zyrtarët amerikanë, por nuk specifikuan se sa trupa amerikane do të mbeten në Irak. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 


 

 

 

Остани поврзан