• сабота, 23 ноември 2024
MIA Flesh

09:00/20 nëntor/2022

Shkup - Në Kuvend sot mbledhje do të mbajnë komisionet për çështje ekonomike, punë dhe politikë energjetike, për vetëqeverisje lokale dhe Komisioni ligjvënës juridik. Anëtarët e Komisionit për çështje ekonomike, punë dhe politikë energjetike do të debatojnë rreth Propozim ligjit për plotësim të Ligjit për koncesione dhe partneritet publiko-privat në lexim të dytë. Në rend dite të Komisionit për vetëqeverisje lokale është Propozim ligji për ndryshim të Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal në lexim të dytë.

Shkup - Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut sot do ta mbajë seancën e 30-të, në rend dite të së cilës janë nëntë nisma për vlerësimin e kushtetushmërisë dhe legjitimitetit të ligjeve të ndryshme, si dhe të dy lëndë për vendim të përhershëm. Një nga pikat kryesore në rend dite është shqyrtimi i Ligjit për tatim të solidaritetit. Shqyrtimi i Ligjit për tatim të solidaritetit është me fokus në pjesën "ose viti 2021" nga neni 6 paragrafi 14. Parashtruesit konsiderojnë se Ligji është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alinea 3 e Kushtetutës.

Shkup - Në Kuvend sot do të mbahet punëtoria “Parlamenti i Fëmijëve 2024” për nxënësit e shkollave fillore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Siç njoftojnë nga shërbimi për shtyp i Kuvendit, në hapjen e "Parlamentit të Fëmijëve" fjalime do të kenë Marina Dimovska, sekretare e përgjithshme e Kuvendit dhe Zllatko Atanasov, këshilltar shtetëror, udhëheqës i Institutit Parlamentar. Në kuadër të punëtorisë është organizuar një vizitë në ndërtesën e Kuvendit, ndërsa nxënësit do të takohen edhe me deputetë.

Shkup - Avokati i Popullit në kuadër të projektit "Rritja e rolit të Avokatit të popullit në drejtësinë ekologjike", i financuar nga Ministria norvegjeze e Punëve të Jashtme, i cili zbatohet në bashkëpunim me Programin për zhvillim të Kombeve të Bashkuara - UNDP dhe Zyra e Komisarit të lartë për të drejta të njeriut të KB-së në Shkup, sot dhe nesër në Shkup, organizon konferencë ndërkombëtare me temë "Avokatët e popullit dhe Institucionet kombëtare për të drejta të njeriut dhe mjedis jetësor". Konferencën do ta hapin Avokati i popullit, Naser Ziberi, zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Maqedoninë e Veriut, Armen Gregorian.

Shkup - Në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit sot në ora 13:30 do të shqiptohet aktgjykimi për rastin e grupit të Velesit për abuzim seksual dhe prodhim të materialit pornografik me fëmijë viktimë. Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në janar të këtij viti ka njoftuar rastin, në të cilin i dyshuari i parë, 25-vjeçari nga Velesi, nga fundi i dhjetorit të vitit 2021 dhe gjatë vitit 2022, duke përdorur kërcënime ndaj fëmijës-viktimë, u ka mundësuar të dyshuarve të tjerë dhe personave të tjerë të panjohur të kryejnë akte seksuale me viktimën. Këto akte përfshinin aktivitete seksuale, shfrytëzim seksual dhe pornografi.

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësirsa të ndryshueshme, në pjesët perëndimore nga mëngjesi me reshje të kohëpaskohshme shiu. Gjatë ditës do të përhapen në pjesën më të madhe të vendit - do të jenë më të rrëmbyeshme në pjesët perëndimore dhe veriperëndimore dhe do të vazhdojnë gjatë natës. Do të fryjë erë e fortë deri e fortë jugore, herë pas here mbi 70 kilometra në orë. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 1 deri 8, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 12 deri 17 gradë.

Kiev - Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski në fjalimin para parlamentit dje sugjeroi se kontrolli i përkohshëm rus ndaj territorit ukrainas është me siguri i pashmangshëm gjithnjë derisa në pushtet është presidenti rus, Vlladimir Putin."Ukraina ndoshta do të duhet të mbijetojë dikë në Moskë në mënyrë që t'i arrijë qëllimet e veta dhe ta kthejë territorin e plotë nacional", tha presidenti ukrainas në Radën ukrainase, transmetoi Hina. Mediumet ndërkombëtare tashmë një kohë të gjatë spekulojnë se lufta në Ukrainë mund të ngrihet përgjatë linjës së frontit madje edhe nëse Kievi nuk i lëshon territor Rusisë.

Bejrut - Rreth 540.000 persona janë larguar nga Libani në Sirinë fqinje pas përshkallëzimit të luftës mes Izraelit dhe milicisë pro-iraniane Hezbollah, sipas të dhënave të KB-së të publikuara dje. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA) raportoi se rreth dy të tretat e refugjatëve që vijnë nga Libani janë sirianë, ndërsa rreth një e treta janë shtetas libanezë. Sipas të dhënave të qeverisë, rreth 1.5 milionë refugjatë sirianë kanë jetuar në Liban përpara përshkallëzimit të fundit të konfliktit me Izraelin. Shumica e tyre mbërritën në Liban pas vitit 2011 për shkak të luftës civile në vendin e tyre.

Rio de Zhanejro - Presidenti francez, Emanuel Makron e dënoi "eskalimin" rus në luftën në Ukrainë, duke i bërë thirrje kolegut të tij rus, Vlladimir Putin "të tregojë maturi". "Me të vërtetë dëshiroj t'i bëj thirrje Rusisë të tregojë maturi. Ajo ka përgjegjësi si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të KB-së", deklaroi Makron, dje pas samitit të liderëve të G20-shit në Rio de Zhanejro. Makron vlerësoi se Rusia sot po bëhet fuqi e "destabilizimit global" dhe shtoi se i ka bërë thirrje kolegut të tij kinez, Si Xhinping të ndikojë tek Putini.

Uashington - Presidenti amerikan, Xho Bajden ka miratuar dërgimin e minave kundër këmbësorisë në Ukrainë, një lëvizje që mund të ndihmojë në ngadalësimin e përparimeve ruse në lindje të saj, veçanërisht kur përdoret së bashku me municione të tjera nga SHBA-ja.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Ukraina të përdorë mina në territorin e saj, megjithëse ka premtuar se nuk do t'i përdorë ato në zonat e banuara me civil të saj, deklaroi një zyrtar amerikan.

 

Остани поврзан