• сабота, 23 ноември 2024
MIA Flesh

09:00/21 nëntor/2024

Shkup - Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do ta mbajë seancën e re të 19-të.Para deputetëve si pikë nga rendi i ditës në këtë seancë është edhe Propozim ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për pagë minimale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të parashtruar me procedurë të shkurtuar nga deputetët e LSDM-së. Me zgjidhje ligjor pritet që vlera e pagës minimale në Republikën e Maqedonisë së Veriut të arrijë 27.700 denarë në neto vlerë. Siç theksohet në zgjidhjen ligjore të publikuar në ueb faqen e Kuvendit, zbatimi pritet të fillojë me pagesën e pagës për muajin nëntor të vitit 2024 e cila do të paguhet në muajin dhjetor të vitit 2024. Zbatimi i ligjit do të shkaktojë implikime financiare mbi Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë prej 93.000.000 denarë.

Shkup - Në Kuvend sot do të bëhet pranim-dorëzimi i skanerëve të sigurisë rëntgen nga Bundestagu në Shtëpinë ligjvënëse. Siç informojnë nga shërbimi parlamentar për shtyp, pranim-dorëzimi është qëllimi i takimit të presidentit Afrim Gashi dhe sekretares së përgjithshme Marina Dimovska me ekspertë të Bundestagut gjerman dhe me përfaqësues të NDI-së, si dhe me ambasadorët e Gjermanisë dhe Zvicrës, Petra Dreksler dhe Veronik Ulmann.

Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe ambasadori francez, Kristof Le Rigoler sot do të nënshkruajnë Aneks të Memorandumit për Bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ambasadës Francës, e cila inkurajon më tej studimin e gjuhës frënge në sistemin tonë arsimor. Ngjarjen në Klubin e deputetëve në Shkup do ta hapë Igo Beshtel, këshilltar për bashkëpunim dhe kulturë dhe drejtor i Institutit Francez në Shkup, bëri të ditur MASH-i.

Shkup - Ambasada e SHBA-së në Shkup, në bashkëpunim me Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe për Zbatimin e Ligjit (INL), sot dhe nesër organizojnë Konferencë për luftën kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Fjalime hyrëse në hapjen e konferencës do të kenë ambasadorja Angela Ageler dhe zëvendëskryeministri i Qeverisë për Politika dhe Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.

Shkup - Kabineti i ministrit të angazhuar për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për inkluzion të romëve 2022-2030 do të organizojë Konferencë donatore me titullin "Romët dhe miqtë". Siç njoftoi Kabineti i ministrit, në konferencë do të marrin pjesë ambasadori, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësues të Qeverisë. Në kuadër të ngjarjes, që do të mbahet në Qeveri në sallën solemne, Kabinetin do ta porezantojë planin për punë për periudhën e ardhshme, me theksn në nismat kyçe dhe projektet për përmirësimin e pozicionit social dhe ekonomik të komunitetit rom.

Shkup - Transporti publik edhe sot në mëngjes për shkak të mungesës së derivateve për autobusët të NPQ Shkup. Në Shkup prej dje pasdite qarkullojnë vetëm 25 autobusë, ndërsa të tjerët janë të parkuar në auto-bazat e NPQ "Shkup" në Autokomandë dhe Gjorçe Petrov për shkak të mungesës së derivateve. Afrim Muça, kryetar i Sindikatës së pavarur të shoferëve në NPQ "Shkup" për MIA-n mbrëmë deklaroi se gjendja është shumë serioze, madje edhe alarmante, siç tha, pothuajse 70 për qind e automjeteve janë të parkuara.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë. 

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme, paradite me reshje të kohëpaskohshme të shiut, ndërsa në male me borë. Pasdite vranësirat do të zvogëlohen. Do të fryjë erë e fortë nga drejtimi veriperëndimor (në vende mbi 80 km/h). Temperatura minimale do të jetë në interval prej 2 deri 10, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 6 deri 13 gradë, njofton DPHM-ja. 

Madrid - Futbollisti i Real Madridit, Vinisius Zhunior, mësoi për origjinën e tij pas testit të ADN-së. Para ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Uruguait (1:1), sulmuesit brazilian iu dorëzuan një dokument në të cilin shkruhej se ka rrënjë kameruniane. Bazuar në informacionin në tekst, Vinisiusi vjen nga fisi Tikar, i cili jeton në veriperëndim të Kamerunit.

Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se Krimeja, gadishulli, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2024, do të duhet t'i kthehet Ukrainës përmes kanaleve diplomatike, e jo përmes fuqisë ushtarake. Në një intervistë për "Foks njuz", të filmuar në Ukrainë, derisa ka qenë me tren, Zelenski theksoi se Ukraina nuk mund të lejojë që të humb kaq shumë jetë që do të nevojiten për pushtimin ushtarak të Krimesë. "Tashmë kam përmendur se jemi të gatshëm në rrugë diplomatike ta kthejmë Krimenë", tha Zelenski dhe shtoi se Ukraina "nuk mund të pranojë ligjërisht çdo pjesë të okupuar të Ukrainës si ruse".

Kiev - SHBA-ja bëri të ditur se mbrëmë vonë e kanë rihapur ambasadën e tyre në Kiev, pasi ndërtesa ishte mbyllur gjatë gjithë ditës dje për shkak të kërcënimit të një sulmi të madh ajror. Një kërcënim i tillë erdhi pasi Ukraina një ditë më parë përdori raketa amerikane për të sulmuar objektivat në territorin rus, raportuan mediat britanike. Rusia e përshkroi sulmin me raketa amerikane si një përshkallëzim, ndërsa inteligjenca ushtarake ukrainase tha se Rusia po përpiqej të mbjellë panik duke përhapur raporte të rreme në internet për një sulm të afërt me raketa dhe dronë.

Isllo - Djalit të princeshsës norvegjeze Mete-Marit, Marius Borg Hojbi, i është caktuar masë arresti njëjavore nën akuzën për përdhunim. Të hënën policia e ka arrestuar Hojbin (27), i cili është djali i princeshës norvegjeze dhe thjeshtri i trashëguesit të fronit Hakon, nën akuzën se ka pasur marrëdhënie seksuale "me dikë që ka qenë pa vetëdije ose për shkaqe tjera nuk ka mundur ta kundërshtojë këtë akt".

Phenian - Koreja e Veriut dhe Rusia nënshkruan një protokoll bashkëpunimi pas takimeve për tregti, ekonomi, shkencë dhe teknologji në Phenian, njoftoi media shtetërore e Koresë së Veriut, KCNA. Sipas Ministrisë ruse për Burime Natyrore, vendet ranë dakord të rrisin numrin e fluturimeve çarter pas takimit Midis janarit dhe shtatorit, numri i turistëve që udhëtuan midis Rusisë dhe Koresë së Veriut arriti në më shumë se 5.000 njerëz dhe më shumë se 70 për qind e tyre udhëtuan me aeroplan. Pritet që rritjet e fluturimeve çarter të nisin jo vetëm nga rajoni lindor i Rusisë pranë Koresë së Veriut, por edhe nga qytetet kryesore ruse në zona të tjera, raportojnë mediat ruse, duke cituar Ministrinë.

San Francisko - Bitkoini për herë të parë e ka kaluar kufirin prej 95.000 dollarë, ende i nxitur nga "efekti i Trampit", pasi tregu pret legjislacion më fleksibël dhe politikat ekonomike që do të ishin të favorshme për të nën qeverinë e re amerikane. Kriptomonedha me kapitalizimin më të madh të tregut e kaloi atë prag rreth orës 01:24 sipas kohës së Griniçit, duke vendosur një rekord të ri prej 95.004,50 dollarë përpara se të tregtohej me 94.907 dollarë pak më vonë. Pas fitores së Donald Trampit më 5 nëntor, vlera e bitkoinave rritet për rreth 35 për qind. 

Остани поврзан