• e enjte, 05 shkurt 2026

Zëvendëskryeministri i parë Sali në takim me Kosin në Bruksel

Zëvendëskryeministri i parë Sali në takim me Kosin në Bruksel

Bruksel, 3 shkurt 2026 (MIA) – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali i cili prej dje ndodhet për vizitë zyrtare dyditore në Bruksel, sot do të takohet me komisaren e BE-së për zgjerim, Marta Kos.

Përveç me Kosin, gjatë vizitës së tij të parë në Bruksel që nga marrja e detyrës, Sali do të takohet edhe me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së përgjithshme për zgjerim dhe partneritet lindor (DG INEST), Gert Jan Kopman.

Dje, në ditën e parë të vizitës, Sali realizoi takim me raportuesin në hije të Parlamentit Evropian për vendin, eurodeputetin slloven Matej Tonin ku fokusi ka qenë mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e reformave kyçe, përfshirë sundimin e ligjit, administratën publike dhe të drejtat e komuniteteve.

Në takim është theksuar rëndësia e asaj që çështjet dypalëshe të mos pengojnë përparimin e vendit drejt BE-së, me çka Sali ka riafirmuar angazhimin e vendit në rrugën evropiane dhe gatishmërinë për të avancuar më tej çdo reformë me partnerët evropianë.

Sali dhe Tonin përshëndetën progresin e arritur në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe digjitalizimin e shërbimeve, duke përfshirë projektin për internet falas Vi-fi në 500 komuna në Ballkanin Perëndimor – WiFi4WB dhe bashkimin me Zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA).

Zëvendëskryeministri Sali u takua gjithashtu edhe me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në DG INEST, Valentina Superti, me të cilën diskutoi progresin e vendit në zbatimin e Agjendës së reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar se është arritur progres i qëndrueshëm në fusha kyçe, siç janë sundimi i ligjit, administrata publike dhe digjitalizimi i shërbimeve.

Në takimet me Tonin dhe Superti, Sali madje ka folur edhe për tejkalimin e sfidave praktike me të cilat përballen transportuesit pas vendosjes së Sistemit për hyrje-dalje (EES).

Sali e filloi vizitën e tij në Bruksel me takimin me ambasadoren e Qipros në Bashkimin Evropian, Kristina Rafti, vendi i së cilës aktualisht kryeson me Këshillin e BE-së.

Në fokus të bisedimeve Sali-Rafti ka qenë Agjenda reformuese, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor si dhe prioritetet kryesore në kuadër të përparimit të negociatave me Bashkimin Evropian.

Në takim është theksuar rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe mbështetjes nga partnerët evropianë për zbatimin e reformave dhe avancimin e mëtejshëm të procesit integrues.

Foto: MÇE

 

QËNDRONI TË LIDHUR