Takim BE-Ballkani Perëndimor kushtuar sfidave të transportuesve
- Ministra nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian sot do të mbajnë takim onlajn kushtuar sfidave me të cilat përballen operatorët e transportit nga rajoni gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në zonën Shengen.
- Post By Fami Bajrami
- 07:29, 3 shkurt, 2026
Bruksel, 3 shkurt 2026 (MIA) – Ministra nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian sot do të mbajnë takim onlajn kushtuar sfidave me të cilat përballen operatorët e transportit nga rajoni gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në zonën Shengen.
Sipas paralajmërimeve, në takim do të marrin pjesë ministrat e Brendshëm, të Transportit dhe Çështjeve evropiane nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Drejtorive të përgjithshme të Komisionit Evropian për zgjerim dhe partneritet lindor (DG INEST), Lëvizshmëri dhe transport (DG MOVE) dhe migracion dhe punë të brendshme (DG HOME).
Çështja e sfidave për transportuesit u aktualizua pas bllokimit të vendkalimeve kufitare drejt zonës Shengen nga shoferët e kamionëve në rajon, pas së cilës të mërkurën u mbajt një takim midis përfaqësuesve të Komisionit dhe ambasadorëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Zëdhënësi i Punëve të Brendshme të KE-së, Markus Lamert, të premten deklaroi se Komisioni është në dijeni rreth shqetësimeve të shprehura nga operatorët e transportit nga Ballkani Perëndimor, me kujdes po e monitoron situatën dhe është në kontakt me partnerët nga rajoni.

Ai theksoi se Komisioni Evropian është plotësisht i përkushtuar ndaj çështjeve të ngritura nga transportuesit, prandaj Strategjia e vizave, e publikuar të enjten, parashikon bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare "për të identifikuar zgjidhje pragmatike që mund të sigurojnë siguri dhe përfitim ekonomik për BE-në, si dhe qartësi ligjore për udhëtarët".
"Bazuar në reflektimet, do të shqyrtohet edhe futja e legjislacionit të ri me një sërë rregullash specifike për qëndrim të shkurtër të zgjatur në nivel të BE-së", deklaroi Lamert, duke shtuar se nuk mund të japë ndonjë afat kohor për këto rregulla të reja për momentin.
Foto: arkivi i MIA-s