Në Abu Dabi vazhdojnë bisedimet e paqës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës
- Përfaqësues nga Rusia, Ukraina dhe SHBA sot duhet të takohen në Abu Dabi për një raund të dytë bisedimesh me qëllim shqyrtimin e mundësive për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, pavarësisht valës së re të sulmeve ajrore ruse ndaj fqinjit të saj.
Abu Dabi, 4 shkurt 2026 (MIA) - Përfaqësues nga Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja sot duhet të takohen në Abu Dabi për një raund të dytë bisedimesh me qëllim shqyrtimin e mundësive për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, pavarësisht valës së re të sulmeve ajrore ruse ndaj fqinjit të saj.
Raundi i parë i bisedimeve trilaterale u mbajt në mesin e janarit, ndërsa takimi pasues i planifikuar për javën e kaluar u shty.
Delegacioni ukrainas në Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të udhëhiqet sërish nga sekretari i Këshillit për Siguri Kombëtare dhe Mbrojtje, Rustem Umerov.
Kremlini kumtoi se nuk do të ketë ndryshime në delegacionin rus, ku përfshihen shefi i shërbimit të inteligjencës ushtarake GRU, Igor Kostjukov, dhe oficerë të tjerë të lartë. Bisedimet pritet të zgjasin deri nesër.
Para takimit, Rusia vazhdoi sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndërsa autoritetet raportuan për sulme gjatë natës në disa rajone. Bombardimet edhe një herë lanë miliona njerëz pa energji elektrike dhe ngrohje në kushte të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta dimërore dhe ndërprenë riparimet e vazhdueshme të rrjetit.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski e akuzoi Moskën për shkelje të armëpushimit të kufizuar të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe kërkoi përgjigje nga Uashingtoni, transmetoi DPA.
“Kievi është lënë në dorë të vullnetit të mirë të Presidentit amerikan, Donald Tramp, pasi shpreson të sigurojë garancitë amerikane të sigurisë dhe nuk mund t’i anulojë negociatat”, tha ai. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s