Mickoski: 25 milionë euro për të ardhme të gjelbër dhe konkurruese të kompanive të Maqedonisë
- Sot dërgojmë një porosi të fortë dhe të qartë: Ecim përpara drejt një ekonomie të qëndrueshme, moderne dhe konkurruese që rritet me përgjegjësi, me kujdes për mjedisin jetësor dhe me një vizion të qartë evropian, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin në një ngjarje me rastin e fillimit të projektit "Skema e granteve për të mbështetur ndërmarrjet për veprimtari të gjelbër".
- Post By Sara Ademi
- 14:15, 4 shkurt, 2026
Shkup, 4 shkurt 2026 (MIA) - Sot dërgojmë një porosi të fortë dhe të qartë: Ecim përpara drejt një ekonomie të qëndrueshme, moderne dhe konkurruese që rritet me përgjegjësi, me kujdes për mjedisin jetësor dhe me një vizion të qartë evropian, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin në një ngjarje me rastin e fillimit të projektit "Skema e granteve për të mbështetur ndërmarrjet për veprimtari të gjelbër".
Projekti do të zbatohet në periudhën 2026-2030 dhe parashikon 25 milionë euro për transformim të gjelbër të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Pritet me të të përfshihen 300 kompani.
Siç theksoi Mickoski, këto 25 milionë euro nuk janë vetëm një shifër në buxhet, ato janë investim direkt në kompanitë e Maqedonisë, në konkurrueshmërinë e tyre, në të ardhmen e tyre evropiane dhe në ekonominë që po ndërtojmë për gjeneratat që vijnë.
"Me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian dhe me mjete të siguruara nga Qeveria, fillon realizimi i një projekti domethënës për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në procesin e transformimit të gjelbër. Ky projekt nuk është vetëm një ndërhyrje financiare, por një investim strategjik në të ardhmen e ekonomisë së Maqedonisë. Përmes tij do të mbështeten investime që nënkuptojnë më pak mbetje dhe ndotje, përdorim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, ulje të gjurmës së karbonit dhe përdorim më efikas të resurseve natyrore, si dhe vendosje të standardeve ndërkombëtare ekologjike të cilat janë parakusht për dalje në tregjet globale. Në katër vitet e ardhshme do të mbështeten mbi 300 kompani, ndërsa përmes mekanizmave të bashkëfinancimit do të aktivizohen edhe investime shtesë private. Veçanërisht domethënëse është që rreth 200 kompani do të fitojnë mbështetje për përgatitjen dhe implementimin e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe punë të qëndrueshme, që është një leje direkte për pjesëmarrje në zinxhirët evropianë dhe globalë të furnizuesve", nënvizoi kryeministri.
Qëllimi i projektit, shtoi ai, është të mbështesë shtetin në përmbushjen e qëllimeve për neutralitet klimatik të përcaktuara në agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor, përmes forcimit të sektorit privat dhe nxitjes së praktikave të përgjegjshme dhe të qëndrueshme të biznesit.
"Kjo Qeveri investon atje ku efekti ekonomik hde shoqëror është më i madh. Transformimi i gjelbër nuk është shpenzim, por investim në ekonominë më të fortë, mjedisin jetësor më të shëndetshëm dhe cilësinë më të lartë të jetës së qytetarëve. Qeveria mbetet një partner i fortë i komunitetit të biznesit dhe shtytës i të ardhmes evropiane të shtetit. Së bashku ndërtojmë ekonomi të qëndrueshme, konkurrente dhe evropiane, së bashku ndërtojmë të ardhmen që mbetet", thekson Mickoski.
Në ngjarjen "Zhvillimi dhe Sipërmarrësia shkencore-teknologjike", mbajti fjalim edhe drejtoresha e INOVA, Daniela Dimovska, e cila tha se sot fillon një transformim i rëndësishëm i ekonomisë së Maqedonisë.
Dimovska informoi se skema e granteve do të jetë gjithsej 22 milionë euro, dhe kompanitë, varësisht nga instrumenti, do të duhet të marrin pjesë me 20-50 përqind të financimit të tyre. Thirrjet e para do të shpallen në mesin e vitit 2026, dhe një karvan informacioni do të zbatohet në bashkëpunim me komunat, odat ekonomike, qendrat rajonale dhe shoqatat e sektorit për të siguruar që mbështetja të arrijë te kompanitë. Në varësi të madhësisë dhe nevojave të kompanive, do të aplikohen instrumente të shumta financiare - përmes thirrjeve publike, kompanitë do të jenë në gjendje të aplikojnë për mbështetje teknike dhe këshillimore, për standardizim dhe për mbështetje financiare për prokurimin e pajisjeve, teknologjive dhe zhvillimin e produkteve të reja.
Nga 25 milionë euro që vlen projekti, 18 milionë janë mbështetje nga BE-ja dhe shtatë milionë euro janë fonde buxhetore. sa/
foto; printskrin