Konferencë trepalëshe në Shkup për përfshirjen e personave me aftësi të posaçme, bashkëpunim rajonal dhe zhvillim në Ballkanin Perëndimor
- Konferencë trepalëshe kushtuar avancimit të përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal për zhvillim të qëndrueshëm do të mbahet sot në Shkup. Organizatorë janë Instituti i Shoqatës për zhvillim të komunitetit, në partneritet me Fondacionin "Preda plus" dhe ADRF (Albanian disability rights foundation) dhe mbështetjen e organizatave partnere, në kuadër të iniciativës rajonale “Empoëered“, njoftojnë organizatorët.
- Post By Fami Bajrami
- 07:53, 4 shkurt, 2026
Shkup, 4 shkurt 2026 (MIA) - Konferencë trepalëshe kushtuar avancimit të përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal për zhvillim të qëndrueshëm do të mbahet sot në Shkup. Organizatorë janë Instituti i Shoqatës për zhvillim të komunitetit, në partneritet me Fondacionin "Preda plus" dhe ADRF (Albanian disability rights foundation) dhe mbështetjen e organizatave partnere, në kuadër të iniciativës rajonale “Empoëered“, njoftojnë organizatorët.
"Bartës i projektit është ASB South East Europe. Projekti financohet nga Ministria federale për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim e Republikës Federale të Gjermanisë (BMZ). Kjo konferencë tubon përfaqësues të ministrive përkatëse, organizatave të personave me aftësi të kufizuara, ekspertëve dhe sektorit privat nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Shqipëria dhe Kosova”, sqarojnë organizatorët.
Siç theksohet, qëllimi është të promovohet pjesëmarrja e personave me aftësi të kufizuara në hartimin e politikave dhe reformave institucionale, inkurajimi në harmonizimin e legjislacionit me Konventën e KB-së për të Drejtat e personave me aftësi të kufizuara, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rrjetet për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira, identifikimin e hapave konkretë dhe zgjidhje inovative për një treg pune gjithëpërfshirës si dhe avancim i mekanizmave mbështetës për përfshirje në aspekt afatgjatë.
"Konferenca paraqet një platformë për shkëmbimin e përvojave, prezantimin e praktikave të mira dhe forcimin e partneriteteve midis organizatave dhe institucioneve nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, me qëllim inkurajimin e dialogut rajonal dhe veprimit të përbashkët drejt politikave dhe praktikave më gjithëpërfshirëse", theksojnë organizatorët.
Në kuadër të konferencës, është paraparë që pjesëmarrësit të diskutojnë në dy panele. I pari është mbi bashkëpunimin rajonal, inovacionin dhe avokimin për ndryshime sistemike në fushën e përfshirjes. I dyti është mbi politikat e punësimit dhe mbështetjen për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Organizatorët kanë paralajmëruar gjithashtu fjalim të zëvendësministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, si dhe Kevin Maas, Shef i Departamentit të shtypit dhe kulturës së Ambasadës gjermane në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Foto: arkivi i MIA-s