• e enjte, 26 dhjetor 2024

Zyrtari i lartë i Hamasit në Liban: Është shumë herët për një armëpushim me Izraelin

Zyrtari i lartë i Hamasit në Liban: Është shumë herët për një armëpushim me Izraelin

Bejrut, 4 shkurt 2024 (MIA) - Një zyrtar i lartë i lëvizjes palestineze Hamas në Liban tha mbrëmë se lëvizja e tij ishte e hapur për çdo bisedë për t'i dhënë fund "agresionit izraelit në Gaza", por tha se "është shumë herët tani për të folur për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi".

Projekt-marrëveshja e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, e përgatitur nga ndërmjetësuesit e Katarit, Amerikës dhe Egjiptit parashikon lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza në këmbim të palestinezëve të mbajtur në Izrael.

"Hamasi përsëriti gatishmërinë e tij për të diskutuar çdo iniciativë që do t'i jepte fund agresionit barbar kundër popullit tonë palestinez në Gaza", tha Osama Hamdan në një konferencë për shtyp në Bejrut.

Hamdan konfirmoi se Hamasi kishte marrë propozimin e armëpushimit, por tha se mungonin detajet.

Ai propozim është “një marrëveshje kornizë që duhet studiuar... Nuk mund të flasim ende për një marrëveshje, tha ai.

"Pas shqyrtimit, ne do të biem dakord për një qëndrim që do të bazohet në dëshirën tonë për t'i dhënë fund agresionit kundër popullit tonë sa më shpejt të jetë e mundur", tha Hamdan.

Sipas një burimi të Hamasit, faza e parë e projekt-marrëveshjes përfshin një armëpushim gjashtë-javor gjatë të cilit Izraeli do të lirojë midis 200 dhe 300 të burgosur palestinezë, në këmbim të 35 deri në 40 pengjeve të mbajtura në Gaza.

Armata izraelite tha dje se kishte goditur disa mijëra objektiva dhe pozicione të lidhura me lëvizjen Hezbollah në Liban dhe Siri që nga fillimi i luftës kundër lëvizjes palestineze Hamas. Ushtria tha se kishte goditur më shumë se 3,400 objektiva të lidhura me Hezbollahun në Libanin jugor që nga tetori.

"Që nga fillimi i luftës (kundër Hamasit), ne kemi sulmuar më shumë se 3,400 objektiva të Hezbollahut në të gjithë Libanin jugor," tha zëdhënësi i armatës Daniel Hagari, duke shtuar se 200 "terroristë dhe komandantë" ishin vrarë gjatë asaj periudhe.

Sipas tij, armata ka shënjestruar edhe mbi 50 objektiva të Hezbollahut në Siri.

"Ne sulmuam infrastrukturën e Hezbollahut edhe në Siri. Ne goditëm më shumë se 50 objektiva nga toka dhe nga ajri", tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Më 7 tetor, lufta u ndez nga një sulm i Hamasit në territorin izraelit. Sipas të dhënave izraelite, më shumë se 1,160 njerëz, kryesisht civilë, vdiqën atëherë.

Si përgjigje, Izraeli u zotua të shkatërrojë Hamasin dhe filloi një ofensivë të madhe ushtarake. Sipas të dhënave të Hamasit, 27,238 njerëz, kryesisht civilë, janë vrarë në Gaza deri më tani në atë ofensivë.

Më herët, në një sulm të Hamasit, 250 persona u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza. Sipas të dhënave izraelite, 132 pengje janë ende në Gaza. Izraeli pretendon se 27 prej tyre kanë vdekur ndërkohë dhe disa prej tyre janë liruar. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR