• e shtunë, 23 nëntor 2024

ZNAM propozoi zëvendësministra për energjinë dhe minierat dhe për transformim digjital

ZNAM propozoi zëvendësministra për energjinë dhe minierat dhe për transformim digjital

 Shkup, 11 korrik 2024 (MIA) - Në mbledhjen e Këshillit Qendror të partisë që u mbajtë dje, ZNAM - Për Maqedoninë Tonë unanimisht i ka përcaktuar kandidatët për dy zëvendësministra në Qeveri, në ministrinë e Transformimit Digjital dhe për Energjetikë dhe Miniera. 

Siç bëri të ditur zëdhënësi i partisë Nikolla Memov sot në konferencë për media, për kandidat për zëvendësministër të Energjetikës është propozuar Mirosllav Labudoviq, magjistër i elektroteknikës, i lindur në vitin 1982, i cili ka përvojë pune në disa korporata në pozita të ndryshme.

Për kandidat për zëvendësministër të Transformimit Digjital nga KQ i ZNAM është propozuar Radosllav Nastasijeviq Varxhiski, magjistër i shkencave ekonomike, i lindur në vitin 1987 në Kumanovë ku ka kryer disa funksione në Komunë. 

 Partia e Maksim Dimitrievskit në Qeverinë e re ka dy vende të ministrave - Goran Minçev është ministër i Administratës Publike dhe Igor Fillkov - ministër i Drejtësisë, ndërsa nënkryetarja e ZNAM, Vesna Bendevska është nënkryetare e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. 

 Në pyetjen e gazetarëve nëse ZNAM, siç theksoi më herët, do të reagojë pasi anëtarët e Qeverisë nga koalicioni "VLEN" në institucionet shtetërore sërish vendosin flamurin e Shqipërisë, zëdhënësi Memov tha se ZNAM "do të luajë rolin e korigjuesit të Qeverisë” dhe pret që institucionet të marrin masa për shkeljen e ligjeve.

 Theksoi se Lëvizja ZNAM në bisedimet me partnerin VMRO-DPMNE për pjesëmarrjen e tyre në Qeveri i ka përcaktuar parimet themelore për funksionimin e Qeverisë.

 "Këto janë respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve si prioritet bazë, ndërsa gjithashtu edhe parimi që të gjithë ministrat të punojnë në zbatimin e programit të qeverisë, t'i përgjigjen vetëm qeverisë dhe kryeministrit, dhe jo siç kanë zbatuar deri tani programet e tyre partiake. Lëvizja ZNAM e ngriti këtë çështje brenda koalicionit qeveritar. Presim që institucionet e sistemit të bëjnë punën e tyre dhe të marrin masat e duhura për shkeljet e ligjeve, pavarësisht se nga vijnë ato shkelje", tha Memov në konferencën për media. qa/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR