• e diel, 24 nëntor 2024

Zjarrëfikësit e Dibrës dje me katër ndërhyrje

Zjarrëfikësit e Dibrës dje me katër ndërhyrje

Dibër, 17 gusht 2023 (MIA) - Zjarrfikësit e Dibrës dje në orët e vona të mbrëmjes kanë pasur katër ndërhyrje, tre kanë qenë zjarre në ambient të hapur kurse një ndërhyrje teknike.

"Sa u përket zjarreve, një është në deponi kurse tre zjarre në kashtë. Njëri prej tyre që ka qenë me sipërfaqe më të madhe në fshatin Kosovrasti i Poshtëm zjarrfikësit e kanë shuar gjatë natës. Informacionet e para janë se zjarret janë shkaktuar nga pakujdesia", tha për MIA-n Xhetan Miftarovski, komandant i Njësisë territoriale kundër zjarreve.

Përmes rrjetit social në Fejsbuk, bashkësia lokale nga Kosovrasti i Poshtëm shpreh falënderim të madh për ndërhyrjen e shpejtë të zjarrfikësve, me çka është arritur të parandalohet që zjarri të mos përfshijë sipërfaqe më të mëdha.

"Prej fillimit të vitit deri sot kemi 50 ndërhyrje që është numër më i vogël në krahasim me vitet e kaluara. Fatmirësisht deri më tani nuk kemi zjarre në ambiente të hapura në përmasa më të gjera", tha Miftarovski.

Ai përsëriti apelin deri te qytetarët që të kenë kujdes derisa lëvizin në ambient të hapur, të mos ndezin zjarre apo të gjuajnë bishta të cigareve.

Njësia territoriale kundër zjarreve përveç territorit në komunë e Dibrës intervenon edhe në komunën e Qendrës Zhupë si dhe zonën e Rekës, komunë e Mavrovës dhe Rostushës.

Sipas nevojës, në aspekt humanitar në marrëveshje me pushtetin lokal është intervenuar edhe ne vendbanimet kufitare me Shqipërinë fqinje. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR