Ziberi: Nevojitet sistem i besimit dhe komunikimit të ndërsjellë me organet mbikëqyrëse dhe strukturat e sigurisë
- - Qytetarët duhet të jenë të bindur se privatësinë në shtëpinë e tyre, bisedat telefonike dhe komunikimet në internet i kanë të garantuara. Për fat të keq, te qytetarët ekziston mosbesim, ndërsa kjo flet për përgjigjen e deritanishme joadekuate të organeve mbikëqyrëse drejt shërbimeve sekrete. Kur mbikëqyrja do të jetë më adekuate, në mënyrë siç është vendosur ligji, me siguri edhe besimi do të ishte më i madh, theksoi avokati i popullit, Naser Zyberi.
- Post By Fitore Curri
- 14:30, 8 nëntor, 2023
Shkup, 8 nëntor 2023 (MIA) - Qytetarët duhet të jenë të bindur se privatësinë në shtëpinë e tyre, bisedat telefonike dhe komunikimet në internet i kanë të garantuara. Për fat të keq, te qytetarët ekziston mosbesim, ndërsa kjo flet për përgjigjen e deritanishme joadekuate të organeve mbikëqyrëse drejt shërbimeve sekrete. Kur mbikëqyrja do të jetë më adekuate, në mënyrë siç është vendosur ligji, me siguri edhe besimi do të ishte më i madh, theksoi avokati i popullit, Naser Zyberi.
Ai në fjalimin e tij në konferencën e sotme "Roli mbikëqyrës i Avokatit të Popullit mbi sektorin e sigurisë nga aspekti i mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve" theksoi se shpreson se do të vendoset sistem i besimit të ndërsjellë, bashkëpunim dhe komunikim me organet mbikëqyrëse dhe me shërbimet, por për këtë duhet të ekzistojë vullnet dhe përgjegjësi.
"Edhe pse kanë kaluar vite të tëra që kur janë miratuar zgjidhjet ligjore të cilat e rregullojnë këtë sferë, ku mes tjerash është paraparë roli mbikëqyrës i Avokatit të Popullit ndaj strukturave të sigurisë, duhet ta pranoj se përvoja jonë në këtë sferë është shumë modeste", tha Zyberi.
Në lidhje me përfaqësuesit nga strukturat e sigurisë të cilët ishin të ftuar në konferencë, Zyberi theksoi se janë të pranishëm përfaqësues nga Agjencia e Zbulimit dhe ATO, por nuk ka ardhur askush nga ASK.
"Nga Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) ishin të ftuar, por nuk janë të pranishëm në konferencë dhe për mua ky është një tregues për marrëdhënien e tyre ndaj organeve mbikëqyrëse", shtoi avokati i popullit.
Zyberi nënvizoi se qytetarët duhet të jenë të sigurt se privatësinë në shtëpinë e tyre e kanë të garantuar dhe askush nuk guxon ta dëmtojë ose që ta shkelë Kushtetutën dhe ligjin. Qytetarët, siç tha, duhet të jenë të sigurt se institucionet kompetente do ta mbrojnë këtë të drejtë, ndërsa çdo shkelje jo vetëm që do të zbulohet por edhe sanksionohet në mënyrë adekuate.
"Ligji i vendos parimet themelore të bashkëpunimit dhe funskionimit të tillë, ndërsa ne jemi përgjegjës që t'i respektojmë dhe zbatojmë", tha Zyberi.
Për fat të keq, siç tha, vite të tëra në vend flitet shumë në këtë temë sepse jemi dëshmitarë të disa aferave të cilat kanë të bëjnë pikërisht me shkeljen e të drejtës së privatësisë, ndërsa përgjigje konkrete të asaj që ndodh ende nuk kemi. Ai shtoi se ekzekutimi joefikas i procedurave për shkeljet e tilla, mund të shërbejë si segment për inkurajim të këtyre shërbimeve dhe më tutje të vazhdojnë me mënyrën e njëjtë të funskionimit.
"Anëtarësimi ynë në Aleancën e NATO-s dhe pretendimet tona për anëtarësim në BE do të rrisë nivelin e përgjegjësisë së këtyre shërbimeve për mbrojtjen e të gjitha segmenteve si të sigurisë kombëtare ashtu edhe të sigurisë së fqinjëve tanë dhe shoqatave në të cilat jemi anëtarë. Këto shërbime nuk duhet të jenë jashtë kontrollit. Unë jam fuqimisht kundër që e njëjta të përdoret për qëllime të tjera të palejueshme, përfshirë ato politike. Ligji përcakton parimet bazë të një bashkëpunimi dhe funksionimi të tillë dhe ne jemi përgjegjës për respektimin dhe zbatimin e tyre", shtoi Zyberi.
Ambasadorja e Zvicrës në vend, Veronik Hulman në konferencën e sotme tha se që nga viti 2018 reforma mbresëlënëse strukturore dhe ligjvënëse ishin vendosur të cilat dukshëm kontribuuan drejt demokratizimit.
"U krijua një organ i ri nën Qeverinë për të përmirësuar komunikimin ndërmjet shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë. Ish DSK-ja u reformua në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare. Kjo Agjenci kujdeset që agjencitë e sigurisë dhe të inteligjencës të mos keqpërdorin mjetet e komunikimit. Është e rëndësishme që të zbatohen ndryshimet në legjislacion për të rritur transparencën. Ne do të vazhdojmë të mbështesim organet mbikëqyrëse që kanë detyrime ligjore për të kontrolluar dhe mbikëqyrur shërbimet e sigurisë", tha Hulman.
Ndihmësdrejtori dhe udhëheqës në Departamentin për Politikë dhe Hulumtim në kuadër të DKAF, Hans Born në konferencë tha se ngjarja e sotme simbolizon gatishmëri kolektive në këtë vend të vazhdojë me çështjet e rëndësishme në lidhje me mbikëqyrjen e pavaruar demokratike të shërbimeve të inteligjencës dhe të sigurisë.
Siç tha, reformat në këtë sektor nuk janë diçka që mund të përfundojnë gjatë natës, duhet të kemi durim, ndërsa DKAF jep mbështetje të vazhdueshme për këto procese. fc/
Fotografia: MIA