• e enjte, 26 dhjetor 2024

ZGJEDHJE 2024/ Vijon afati për grumbullimin e nënshkrimeve për kandidatë për president, deri më tani në lojë 13 emra

ZGJEDHJE 2024/ Vijon afati për grumbullimin e nënshkrimeve për kandidatë për president, deri më tani në lojë 13 emra

Shkup, 24 shkurt 2024 (MIA) - Vijon afati për mbledhjen e nënshkrimeve të kandidatëve për president në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa në të njëjtën kohë vijon edhe afati për regjistrim për të votuar në diasporë. Sipas orarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, afati për mbledhjen e nënshkrimeve zgjat deri më 8 mars, ndërsa regjistrimi i diasporës për votim është deri më 18 mars.

Sipas asaj që është bërë e ditur deri më tani, në zgjedhjet e shtatë presidenciale të planifikuara për 24 prill, në garë janë gjithsej 13 kandidatë.

Udhëheqësia e LSDM-së i ka dhënë mbështetje kreut aktual të shtetit Stevo Pendarovski për mandatin e dytë presidencial, por vendimi duhet të kalojë nëpër trupat dhe organet e brendshme partiake, ndërsa VMRO-DPMNE-ja propozon profesoreshën Gordana Siljanovska Davkova, e cila ishte kundërshtare e Pendarovskit në raundin e dytë të zgjedhjeve në zgjedhjet e kaluara. Megjithatë, të dy do të duhet të konfirmohen në konventat e partisë të planifikuara për në fillim të marsit.

Bujar Osmani nga BDI-ja, Maksim Dimitrievski nga Lëvizja "ZNAM"- Për Maqedoninë tonë, Stevço Jakimovski, lideri i GROM-it, profesoresha Biljana Vankovska si kandidat për Të Majtën, Arben Taravari nga koalicioni opozitar shqiptar VLEN, Mersiha Smailoviq, e cila mbështetetet nga Lidhja Demokratike Boshnjake (BDS) dhe Velo Markovski, i cili ka shpallur kandidaturë të pavarur për president në tetor të vitit të kaluar, edhe pse është anëtar i VMRO-DPMNE-së. Deri më tani, edhe katër të tjerë kanë dhënë deklaratë me iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve qytetare në KSHZ - Tome Nikollovski, Gospodin Popovski, Gjorgi Manaskov dhe Zorica Cvetkovska.

Deri më tani, siç tha dje në "Top Tema" kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, në KSHZ nuk janë dorëzuar vërejtje për kushte të papërshtatshme nga kandidatët që mbledhin nënshkrime dhe nëse dikush raporton diçka të tillë, menjëherë do të trajtohet. Sipas tij, nuk ka ankesa për fillimin e parakohshëm të fushatës, por sërish apelon që partitë politike që të respektojnë procedurat dhe të sillen brenda ligjit.

"Ne po përgatitemi shumë për këtë proces dhe i kemi marrë të gjitha masat. Kemi miratuar një Rregullore për rregullimin e procedurës për mbledhjen e nënshkrimeve, të cilën mund ta gjeni në ueb faqen dhe ta lexoni. I kemi dhënë urdhër edhe punonjësve, nëse një i pafuqishëm nuk mund të hipë, punonjësi të zbresë", tha Dashtevski në lidhje me ankesat e sotme të disa palëve për kushtet për grumbullimin e nënshkrimeve.

Grumbullimi i nënshkrimeve bëhet në të gjitha sektorët rajonale dhe zyrat e KSHZ-së që ndodhen në selitë e 34 pushteteve lokale dhe para noterëve kompetentë. Kur parashtruesi i listës së kandidatëve për president është një grup votuesish, është e nevojshme të mblidhen së paku 10.000 nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në Listën zgjedhore, ndërsa kur paraqitësit e listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme që mbledhin të paktën 30 nënshkrime nga deputetët.

Procedura për mbledhjen e nënshkrimeve, e cila ka nisur ditën e djeshme, do të vazhdojë çdo ditë. Sektorët rajonale do të punojnë me dy turne, nga ora 08:00 deri në 20:00 dhe ditën e fundit, më 8 mars, do të punojnë deri në orën 24:00.

Iniciativa për mbledhjen e nënshkrimeve në mbështetje të listës së dorëzuar të kandidatëve për kryetar dhe deputetë, inicohet me paraqitjen e njoftimit dhe deklaratës në KSHZ nga ana e kandidatit të propozuar, përkatësisht personi i autorizuar prej tij me njoftim të përgjithshëm të vërtetuar nga noteri. 

Listat e kandidatëve për president të shtetit, pjesëmarrësit në zgjedhje duhet t'i dorëzojnë KSHZ-së më së voni deri më 19 mars deri në mesnatë. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve vlen si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare. Zgjedhjet presidenciale janë caktuar për 24 prill, ndërsa raundi i dytë është më 8 maj, kur duhet të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR