• e shtunë, 23 nëntor 2024

ZGJEDHJE 2024/ Mickoski: Të injorohet ideja e BDI-së për zgjedhjen e presidentit të shtetit në Kuvend

ZGJEDHJE 2024/ Mickoski: Të injorohet ideja e BDI-së për zgjedhjen e presidentit të shtetit në Kuvend

Shkup, 26 shkurt 2024 (MIA) - Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski vlerëson se duhet të injorohet ideja e BDI-së për zgjedhjen e presidentit të shtetit në Kuvend. Ai e cilëson si "frustrim të individëve" deklaratën e Ali Ahmetit në këtë drejtim dhe vlerësoi se "BDI nuk është faktor që mund të vendosë një temë të tillë sepse shumë shpejtë do të jetë pjesë e së kaluarës, përderisa pafytyrësia që të thotë një gjë të tillë dhe ta lidhë me shantazh për daljen në zgjedhje, është akt joshtetëror". 

Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas vizitës në Komunën e Gazi Babës, porositi që mediat me shumë kujdes të veprojnë për llojin e tillë të deklaratave. 

Sipas tij, nisma e BDI-së për nënpresidentin e shtetit "nuk është diçka që do të shtojë vlerë". Mickoski e përsëriti qëndrimin e partisë, se duhet të hiqen të gjitha vendet e zëvendësve që të kursehen mjete të cilat do të investoheshin në investime kapitale. 

"E kam dëgjuar deklaratën e Ahmetit. Kjo deklaratë e tij në mungesë të ideve dhe projekteve të tjera të dobishme, kur BDI është kapur në një krim të madh, është një përpjekje me defokus të lehtë për të ndërtuar një temë që më pas do të kalojë në fushatë, siç ishte 'kryeministri shqiptar'. Unë mendoj se kjo duhet të injorohet. E para, nuk janë faktor për të imponuar një temë të tillë dhe ne si publik nuk duhet te biem pas grepit qe vjen nga një opsion politik që shumë shpejt do të bëhet pjesë e së shkuarës dhe së dyti me vete guximin për të thënë një gjë të tillë dhe ta shoqërojnë me shantazh për rezultatin e zgjedhjeve, është një akt joshtetëror për një parti që dëshiron të paraqitet si shtetndërtuese dhe që 22 vjet është pjesë e Qeverisë dhe ha bukën për hir të qytetarëve dhe shtetit", deklaroi Mickoski.

Sipas tij, edhe VMRO-DPMNE-ja ka mundur në vitin 2019 të dalë në mes të dy rretheve dhe të shantazhojë, por nuk e ka bërë këtë. 

"Ju lus si media t'i qaseni me shumë kujdes këtij lloj deklaratave dhe tentativave për t'u defokusuar nga politikanët që nuk janë faktor, por po përpiqen të paraqiten si faktor, ndërsa në një kohë shumë të shkurtër nga sot do të dërgohen në pension politik dhe një pjesë e madhe e tyre do të jenë pjesë e proceseve ku do të duhet të dëshmojnë pafajësinë e tyre sepse ka dyshime të arsyeshme se kanë kryer krim të madh", theksoi Mickoski.

Deklarata e Taravarit për zgjedhjen e kryetarit në Kuvend, vlerësoi Mickoski, është më e butë. 

"E kam dëgjuar Arben Taravarin. Ai tha se ky nuk është kusht për formimin e qeverisë. Siç e kuptoj unë, është një deklaratë më e butë. Por nëse e ngremë këtë publikisht tani, nuk do të ketë vend për mesazhe për një jetë më të mirë, si ekonomia, reformat. Më shumë do të jetë me interes për qytetarët sesa t'i kënaqin frustrimet e individëve duke u kushtuar vëmendje atyre", thekson Mickoski.

Ai edhe një herë tha se VMRO-DPMNE pas zgjedhjeve është e gatshme të bisedojë në të gjitha temat, por edhe se ka kushte të saj.

"VMRO-DPMNE ka pozicione politike për shumë nga këto tema dhe varësisht asaj se kush do të jetë bashkëbiseduesi, shpresoj se bashkë do të punojmë në interes të qytetarëve dhe shtetit", tha Mickoski.

Lidhur me nismën e BDI-së për nënpresident të shtetit, përsëriti se pozitat e zëvendësve janë të padobishme.

"Nuk mendoj se është diçka që do të shtojë vlerë. Një nismë të tillë ka pasur edhe në të kaluarën, në fillim të viteve 90 dhe nuk mendoj se ka shtuar vlerën për qytetarët, se ka përmirësuar jetën. Vlerësojmë që pozitat e zëvendëspresidentit dhe zëvendësve duhet të hiqen për të kursyer mjetet që do të përdoren për investime kapitale dhe për një standard më të mirë të qytetarëve. Zëvendësministrat kanë të bëjnë vetëm me negociata dhe mashtrime, ose zëvendësit në ndërmarrjet publike që duhet të hiqen, mendojmë se janë shpenzime të kota", theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së.

Ai i quajti "marrëzi" dhe "përhapje të puplave" kritikat nga BDI drejt Siljanovska Davkova dhe VMRO-DPMNE-së për kinse orientimin e tyre prorus. fc/

Fotografia: VMRO-DPMNE

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR