• e enjte, 26 dhjetor 2024

Zgjedhje 2024 / Ademi: Filloi grumbullimi i nënshkrimeve për Bujar Osmanin

Zgjedhje 2024 / Ademi: Filloi grumbullimi i nënshkrimeve për Bujar Osmanin

Shkup, 23 shkurt 2024 (MIA) - Nënkryetari dhe zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, në konferencën e sotme për shtyp informoi se partia e tij ka filluar me grumbullimin e nënshkrimeve për kandidatin për president Bujar Osmani. Ai theksoi se kushti i BDI-së për koalicion do të jetë ndryshimi i Kushtetutës dhe presidenti të zgjidhet në Kuvend.

"BDI-ja siç paralajmëroi lideri Ali Ahmeti, filloi me grumbullimin e nënshkrimeve për Bujar Osmanin për kandidat për president të vendit tonë. Pas Kryeministrit të parë shqiptar, zëvendës kryeministrit të parë, Ministrit të jashtëm, atij të mbrojtjes dhe të punëve të brendshme, avokatëve të shtetit dhe të popullit, kryetarëve të gjykatave kushtetuese, supreme, administrative, kryetarët e federatave të futbollit, mundjes dhe boksit, ka ardhur koha që të shtrojmë rrugën që edhe Presidenti i shtetit të jetë shqiptar. Thelbi i idesë së liderit Ali Ahmeti është zgjedhja e presidentit të shtetit në Kuvend me 2/3 e votave dhe me shumicë të Badenterit për të siguruar konsenzus shoqëror, mbipartiak që mundësohet me mbi 80 vota në Kuvend dhe konsenzus etnik që mundësohet me shumicën e Badinterit në mënyrë që të parandalohet mbivotim etnik dhe imponimi vetëm nga dy partitë më të mëdha politike maqedonase. Ky do të jetë qëndrimi i BDI-së për raundin e dytë zgjedhor dhe për zgjedhjet parlamentare dhe këtë do ta arrijmë. Vetëm duke votuar për partinë më të fortë shqiptare kjo do të arrihet”,shtoi Ademi.

Ai theksoi se, "derivatet" e BDI-së të "udhëhequr nga Kryetari i shkarkuar i Aleancës, kopjuan qëllimin e liderit të partisë Ali Ahmeti të shprehur në Kongresin e dytë të partisë të mbajtur në Shkup në vitin 2009, se presidenti i shtetit të zgjidhet në Kuvend me dy të tretat e shumicës dhe sipas parimit të Badenterit, me qëllim për të siguruar konsensus social, mbipartiak.

I pyetur nga një gazetar se a pret që BDI të marrë vota për Osmanin edhe nga zonat joshqiptare, si në Pehçevë në pjesën lindore të Maqedonisë, Ademi tha se pret mbështetje nga të gjithë qytetarët.

"Sigurisht që presim. Kandidati Dr. Bujar Osmani aktualisht ndodhet në Kombet e Bashkuara ku përfaqëson interesat e shtetit dhe përfaqëson të gjithë qytetarët pa dallim prejardhjeje etnike, kulturore, sociale, arsimore. Ndaj edhe si president i shtetit kërkojmë mbështetjen e shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve. Sigurisht që do të kemi kontakte dhe komunikim me të gjithë qytetarët, tha Ademi.

Në pyetjen e një gazetari nëse BDI do të bojkotojë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale nëse kandidati i tyre nuk kalon, Ademi është përgjigjur se bojkoti nuk është mjet i përshtatshëm.

Ademi tha se BDI është në komunikim të mirë me presidentin Stevo Pednarovski. ls/

Foto: Printskrin nga video

 

QËNDRONI TË LIDHUR