Zeman: Nëse Kina mbështet Rusinë, nuk do të mund të ndërmjetësojë për paqe në Ukrainë
- - Presidenti në largim i Republikës së Çekisë, Millosh Zeman, paralajmëroi sot në Pragë se ndërmjetësues potencial në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë mund të jenë vetëm vendet neutrale dhe se "Kina nuk do të mund ta bëjë këtë nëse mbështet Rusinë”.
- Post By Fitore Curri
- 15:29, 2 mars, 2023
Pragë, 2 mars 2023 (MIA) - Presidenti në largim i Republikës së Çekisë, Millosh Zeman, paralajmëroi sot në Pragë se ndërmjetësues potencial në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë mund të jenë vetëm vendet neutrale dhe se "Kina nuk do të mund ta bëjë këtë nëse mbështet Rusinë”.
"Mendoj se në disa raste neutraliteti i shtetit mund të jetë i dobishëm. Pikërisht sot thashë se neutraliteti i Austrisë në rrethana të caktuara mund t'i mundësojë atij vendi të luajë rolin e një ndërmjetësi në rastin e Ukrainës dhe Rusisë. Një muaj më parë fola me presidentin kinez dhe gjithashtu ramë dakord që nëse Kina nuk e mbështet Rusinë, ajo mund të jetë një ndërmjetës”, tha Zeman në konferencën për media me presidentin austriak, Aleksander van der Belen.
Van der Belen konfirmoi se Austria është ushtarakisht neutrale, gjatë kësaj duke theksuar se neutraliteti nuk nënkupton indiferencë.
“Sigurisht, kemi qëndrim të qartë këtu. Është e rëndësishme që në Bashkimin Evropian, ndërsa ne jemi anëtar i tij, të qëndrojmë bashkë në këto kohëra, nuk duhet të lejojmë ndarje, duhet të flasim me një zë. Ne kemi ende nevojë për atë solidaritet evropian, marrëveshje, vendosmëri për të qëndruar së bashku për vlerat e përbashkëta”, tha Van der Belen.
Mandati i dytë i Zemanit po përfundon, sipas Kushtetutës mandati i fundit, pesëvjeçar, ndërsa presidenti i sapozgjedhur, gjenerali në pension, ish-kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Petër Pavel, do të marrë detyrën më 9 mars. fc/
Fotografia: EPA