• e martë, 24 dhjetor 2024

Zelenski: Rusia e sulmoi infrastrukturën energjetike të Ukrainës me rreth 120 raketa dhe 90 dronë

Zelenski: Rusia e sulmoi infrastrukturën energjetike të Ukrainës me rreth 120 raketa dhe 90 dronë

Kiev, 17 nëntor 2024 (MIA) – Rusia lansoi rreth 120 raketa dhe 90 fluturake pa pilot në një sulm të kombinuar ajror “masiv” ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, deklaroi presidenti ukrainas, Volodomir Zelenski. 

“Objektivi i armikut ishte infrastruktura jonë energjetike përgjatë Ukrainës. Për fat të keq, ka dëmtim të objekteve nga goditjet dhe rënia e mbetjeve”, shkroi ai në deklaratën në rrjetet sociale. 

Sulmi ajror rus në Ukrainë në orët e hershme të mëngjesit sot shkaktoi “dëm serioz” të pajisjes së termocentraleve të furnizuesit më të madh privat me energji në Ukrainë, DTEK, njoftoi kompania. 

Në publikimin e DTEK në rrjetet sociale shtohet se ekipet e kompanisë punojnë në përmirësimin e pajisjes së dëmtuar, por nuk është precizuar se çka saktë ishte goditur. 

Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrij Sibiga në rrjetin social “X” shkroi se goditjet e mbrëmshme masive të Rusisë janë përgjigje e presidentit rus Vladimir Putin për të gjithë ata që i lajmërohen dhe e vizitojnë. 

“Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha ajrore – fluturake pa pilot dhe raketa kundër qyteteve paqësore, civilëve të fjetur dhe infrastrukturës kritike. Kjo është përgjigja e vërtetë e kriminelit të luftës Putin për të gjithë ata që e kanë thirrur dhe e kanë vizituar së fundmi. Ne kemi nevojë për paqe përmes forcës, jo përmes politikës së koncesioneve”, theksoi Sibiga.

Më parë sot ushtria ruse gjuaji raketa kryqëzuese “Kalibër” nga Deti i Zi. Bombarduesit strategjikë gjuajtën raketa kryqëzuese, të shoqëruara me tufa kamikazësh fluturake pa pilot Shahed. 

Ministri i energjetikës German Galushçenko njoftoi se Rusia i ka sulmuar kapacitetet për transmetim dhe prodhimtari të energjisë elektrike. 

Kancelari gjerman Olaf Shollc më 15 nëntor e pati bisedën e tij të parë telefonike me Putinin pas gati dy viteve. Kjo shkaktoi reagim të ashpër nga pala ukrainase, përfshirë edhe nga presidenti Volodomir Zelenski. 

Ministria e Punëve të Jashtme të Kievit theksoi se çfarëdo lloj bisedimesh me Putinin i japin vetëm shpresë presidentit rus për dalje nga izolimi ndërkombëtar. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR