• e shtunë, 23 nëntor 2024

Zelenski foli para Këshillit të Sigurimit të KB-së

Zelenski foli para Këshillit të Sigurimit të KB-së
Nju-Jork, 5 prill 2022 (MIA) - Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski përmes lidhjes video konferenciale foli para Këshillit të Sigurimit të KB-së. ky është fjalimi i tij i parë para Këshillit të Sigurimit prej fillimit të invazionit rus. Pritet që ai t'u bëjë thirrje anëtareve të KB-së të vendosin sanksione të reja, më të ashpra ndaj Moskës. Sipas informatave, Zelenski do të flasë edhe për masakrën e civilëve në Buça, qytet në afërsi të Kievit, të cilin e vizitoi dje pas njoftimeve për vrasje masive të civilëve gjatë okupimit rus. Në fillim Zelenski theksoi se i drejtohet KB-së "në emër të viktimave të Rusisë". "Dje u ktheva nga Buça, e cila ishte liruar kohë më parë. Nuk ka krim që rusët nuk e kanë kryer atje. Kanë vrarë gra të cilat kanë tentuar të kërkojnë ndihmë. Vranë familje të plota dhe tentuan të djegin trupa. I kanë prerë në qafë dhe ekstremitete njerëzit, I kanë gjuajtur prapa shpinës në kokë pasi që i kanë torturuar dhe ua kanë lidhur duart", theksoi Zelenski, duke shtuar se "ushtarët rusë i kanë kërkuar dhe me qëllim i kanë vrarë të gjithë që kanë punuar për Ukrainën. Kanë vrarë civilë në Buça nga kënaqësia". "Ata vranë dhe dhunuan gra para fëmijëve të tyre. Dhe atë e bënë ushtarët rusë. Bota fillimisht duhet të shohë se çfarë bënë në rajonet e tjera të okupuara të vendit tonë", shtoi presidenti ukrainas në fjalimin e tij. Ai i krahasoi krimet e armatës ruse me krimet e organizatës terroriste Shteti islamik. "Në Ukrainë i shohim krimet më të këqija të luftës që nga Lufta e Dytë Botërore. Ata qëllimisht krijojnë uri masive, qëllimisht shkatërrojnë strehimore përplot me civilë. Masakra në Buça është vetëm një, për fat të keq vetëm një shembull i asaj që okupatorët po ia bëjnë vendit tonë prej fillimit të invazionit. Mariupoli, Borodjanka... atje u kryen krime si në Buça", tha Zelenski. "E di se çka do të thonë rusët për këtë. Ata do t'i akuzojnë të gjithë përveç vetes për këto krime. Do të paraqesin teori të ndryshme në mënyrë që askush të mos e dijë se çka ka ndodhur. Por, ky është viti 2022, kemi dëshmi konkrete, kemi xhirime satelitore...", deklaroi presidenti ukrainas. Ai theksoi se "armata ruse haptazi i plaçkitë qytetet dhe fshatrat që i pushton. Ata vjedhin gjithçka, duke filluar nga ushqimi. I vjedhin stolitë nga viktimat, stoli në të cilat akoma ka gjak". "Nëse vazhdon kështu, të gjitha vendet do të mbështeten në forcat e veta të armatosura, e  jo në të drejtën ndërkombëtare. Kombet e Bashkuara atëherë le të ndalojnë punën. A jeni të gatshëm për atë? Nëse jo, atëherë duhet të veproni urgjentisht", tha Zelenski. Sipas tij, "kryesia e armatës ruse dhe të gjithë ata të cilët dhanë urdhra, duhet të nxirren para drejtësisë. Kjo duhet të jetë e ngjashme me gjykimin e Nirnbergut pas Luftës së dytë botërore. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR