• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Zëvendësministrja e Çështjeve Evropiane për vizitë në Budapest

Zëvendësministrja e Çështjeve Evropiane për vizitë në Budapest

Shkup, 17 nëntor 2024 (MIA) – Zëvendësministrja e Çështjeve Evropiane dhe zëvendës kryenegociatore me BE-në, Viktorija Trajkov prej sot do të jetë për vizitë dyditore pune në Budapest, ku do të ketë shumë aktivitete të drejtuara në avancimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe arsimor mes Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë. Në kuadër të vizitës është paraparë edhe takim me ministrin hungarez të Çështjeve Evropiane, Janosh Boka. 

Siç bëri të ditur MÇE, kjo vizitë është pjesë e angazhimeve për përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe për fuqizimin e mbështetjes të cilën vendi e merr në procesin e integrimit evropian në Presidencën hungareze me BE-në. 

Është paraparë që Trajkov të mbajë edhe ligjëratë para studentëve të Universitetit ELTE në Budapest, i cili konsiderohet si një nga universitetet më prestigjioze në Evropë dhe për momentin është i renditur në vendin e 52-të në suaza botërore. 

“Tema e ligjëratës do t'i kushtohet të ardhmes evropiane të Maqedonisë, sfidave me të cilat përballet vendi në procesin integrues. Kjo mundësi është veçanërisht domethënëse, pasi do t'u mundësojë studentëve në Hungari të njohin perspektivat e vendit tonë dhe angazhimin e tij për përparimin evropian. Trajkov përmes kësaj ligjërate synon të forcojë lidhjet me komunitetin akademik në Hungari dhe ta promovojë vendin tonë si pjesëmarrës aktiv në nismat dhe proceset evropiane”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Trajkov është paraparë të takohet edhe me përfaqësues të Fondacionit të Hungarisë civile, i cili është fondacion partiak i FIDES, partia udhëheqëse politike në Hungari. Fondacioni për Hungari civile ka përvojë të madhe në zhvillimin e nismave të cilat i inkurajojnë të rinjtë dhe i mbështetin vlerat evropiane dhe ai bashkëpunim mund të kontribuojë për pjesëmarrje të rritur të organizatave civile nga vendi ynë në programet dhe projektet e përbashkëta evropiane. 

Si pjesë e vizitës së punës në Budapest ajo do të takohet edhe me Peter Staraj, sekretar shtetëror për çështje të sigurisë në Ministrinë hungareze të Punëve të Jashtme, ndërsa janë paraparë edhe takime me diasporën maqedonase në Budapest si dhe personalitete të rëndësishme nga jeta shoqërore dhe politike të cilët janë me rëndësi të ndërsjellë për të dyja vendet. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR