• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Zëvendësministri Husein në sesionin e Konferencës Ndërkombëtare të Punës në Gjenevë

Zëvendësministri Husein në sesionin e Konferencës Ndërkombëtare të Punës në Gjenevë

Shkup, 12 qershor 2024 (MIA) - Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale Enver Husein, do të mbajë fjalim në sesionin e 112-të të Konferencës Ndërkombëtare të Punës, që mbahet në Gjenevë, të Zvicrës. Siç kumtoi MPPS, ky është organi më i lartë për vendosje të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, anëtare e së cilës është edhe Republika e Maqedonisë së Veriut.

Zëvendësministri Husein në fjalën e tij, thekson MPPS, u kthye në efektet e digjitalizimit dhe ndryshimeve të shpejta teknologjike ndaj tregut të punës, më konkretisht ndaj dialogut social.

"Në realitetin e tillë të ri, dialogu social duhet të jetë më dinamik dhe më gjithëpërfshirës. Format tradicionale të dialogut social më së shpeshti nuk janë të mjaftueshme për t'u përballur me sfidat e reja. Prandaj, është e nevojshme të zhvillohen forma të reja të dialogut të cilat do të përfshijnë palë të ndryshme të interesuara", tha Husein.

Në këtë kontekst ai shtoi se dialogu social duhet të jetë proaktiv dhe i parashikueshëm.

"Kjo do të thotë se ne duhet të parashikojmë dhe kuptojmë se si teknologjitë do të ndikojnë në tregun e punës dhe të përgatitemi për ato ndryshime. Kjo përfshin edukim dhe trajnim të vazhdueshëm të punonjësve, si dhe zhvillim të politikave të cilat do të sigurojnë mbrojtje sociale për të gjithë punonjësit. Partnerët social duhet të punojnë së bashku që të zhvillojnë strategji të cilat do t'i adresojnë efektet negative potenciale nga digjitalizimi, siç janë humbja e vendeve të punës dhe pasiguria e rritur", plotësoi Husein.

Pikërisht, për shkak të të gjithë faktorëve, thekson ministria, Husein beson se përkushtimi i dialogut social duhet të jetë më i fortë se kurrë dhe megjithatë tregoi se qeveritë luajnë një rol kyç në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me partnerët social, njëkohësisht duke krijuar korniza juridike dhe institucionale të cilat e promovojnë dhe mbrojnë dialogun social. sa/

Foto: Ministria e Punës dhe Politikës Sociale

QËNDRONI TË LIDHUR