• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti takoi zëvendës ndihmës sekretarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Kasanof

Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti takoi zëvendës ndihmës sekretarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Kasanof

Shkup, 10 shtator 2024 (MIA) -  Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti ka filluar vizitën zyrtare në Uashington, me një takim me zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Aleksander Kasanof. 

Gjatë takimit ku Mexhiti shoqërohej nga Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska, ka informuar  Kasanof me zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, ku ka theksuar përkushtimin e qeverisë së re për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, rritjen e investimeve në infrastrukturë, energji dhe arsim, si dhe për angazhimin e pakompromis në luftën kundër korrupsionit një problem, siç ka theksuar Mexhiti, i trashëguar, por që qeveria është e vendosur ta adreson me vendosmëri.

Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti ka  theksuar se integrimi në Bashkimin Evropian është një aspiratë e shumicës së qytetarëve tanë dhe se po punohet intensivisht për ta përshpejtuar këtë proces. 

"SHBA-ja kanë qenë gjithmonë një partner dhe aleat i fuqishëm, dhe ju falënderojmë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi si vende anëtare të NATO-s, sepse për ne roli i SHBA-së si model për zhvillim demokratik dhe stabilitet, është jetik", ka deklaruar Mexhiti, thuhet në kumtesë.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor Aleksander Kasanof gjatë takimit shprehu mbështetjen e fortë të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor dhe ritheksoi angazhimin e tyre për të ndihmuar vendin në rrugën drejt anëtarësimit në BE, veçanërisht në këtë periudhë të sfiduar nga agresioni i paprovokuar rus në Ukrainë. fc/

Fotografia: Ministria e Mjedisit Jetësor 

 

QËNDRONI TË LIDHUR