• e martë, 24 dhjetor 2024

Mexhiti: Pollogu meriton më shumë dhe ne po punojmë për këtë qëllim

Mexhiti: Pollogu meriton më shumë dhe ne po punojmë për këtë qëllim

Tearcë, 24 tetor 2024 (MIA)- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti sot inspektoi punimet në realizimin e dy projekteve kapitale për sigurimin afatgjatë të ujit të pijshëm në Përshevcë dhe Gllogjë të komunës së Tearcës.

Gjatë vizitës Mexhiti tha se punimet në ndërtimin rezervuarit për ujë të pijshëm që po ndërtohet në Tearcë me mjete të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë prej mbi 18 milionë denarë e që është në fazën përfundimtare, respektivisht mbi 90 për qind të punimeve kanë mbarua, ndërsa me sistemin për filtrimin e ujit të pijshëm në afërsi të fshatit Glogjë në vlerë prej mbi 61 milionë denarë, do të sigurohet ujë cilësor për mijëra banorë të kësaj zone.

“Fshatrat Përshevcë dhe Gllogjë furnizohen me ujë nga dy rezervuar, në të cilët uji në akumulime nga lumi Bistricë vjen me marrje të përkohshme dhe nuk kalon në asnjë proces pastrimi. Për të përmirësuar këtë gjendje po realizojmë dy projekte kapitale me mbështetje financiare nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë prej afro 80 milion denarëve”, ka thënë Mexhiti.

Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti shtoi se akumulimi ekzistues është i pasigurt dhe pëson dëme çdo herë që bie shi, ku si pasojë qarkullon ujë i turbullt dhe i ndotur në tubacione dhe rezervuarë.

“Për të pasur një ujësjellës funksional dhe ujë të pijshëm cilësor, është duke u ndërtuar ujëmbledhësi, tubacioni i furnizimit, rezervuari i sedimentimit dhe stacioni i filtrimit në dy anët e këtij lumi në Malin Sharr, ndërsa deri më tani ka përfunduar 24 për qind e projektit”, tha Mexhiti gjatë inspektimit të punimeve në këto dy lokacione.

Ndryshe, Mexhiti tha se banorët e Pollogut meritojnë ujë cilësor dhe jetë me standarde bashkëkohore dhe në këtë drejtim ministria dhe qeveria po punojnë në kontinuitet.

 

QËNDRONI TË LIDHUR