• e martë, 24 dhjetor 2024

Zëvendëskryeministri Grubi me kërkimfalje pas publikimeve për automjetin e djegur në Çair

Zëvendëskryeministri Grubi me kërkimfalje pas publikimeve për automjetin e djegur në Çair

Shkup, 22 korrik 2023 (МИА) - U kërkoj ndjesë të gjithë fqinjëve të mi në lagjen tonë për shqetësimin e madh që e përjetuan mbrëmë para ndërtesës ku jetoj, për arsye të profesionit tim. I kërkoj ndjesë edhe shokut tim dhe familjes së tij për dëmin e shkaktuar vetëm për arsye të profesionit tim, shkroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Bashkësive, Artan Grubi në profilin e tij në Fejsbuk, pasi u publikua se mbrëmë është djegur një automjet në Çair.

Grubi potencon se "në politikë është për të sherbyer dhe për të lënë gjurmë me punë e me vepra, e jo që t'i terrorizohet familja, fqinjët dhe shoqëria".

"Kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet e njëpasnjëshme i konsideroj si qyqare dhe tinzare, por unë nuk e kam ndërmend të ndalem dhe të zbrapsem nga puna dhe realizimi i pritshmërive të qytetarëve. Ju kërkoj falje që shqetësimet e mija dhe të familjes sime u shënderuan në shqetesime edhe të fqinjëve dhe shoqërisë. Shpreh mirënjohje për të gjithë fqinjët e mi si dhe për forcat e sigurisë dhe përpjekjet e tyre për ta zbardhur sulmin e mbrëmshëm. Ju falenderoj dhe të gjithë juve për përkrahjen e madhe!", qëndron në publikimin e Grubit. 

Paraprakisht, një pjesë e mediave publikuan se mbrëmë nga zjarri është përfshirë automjeti i zëvendëskryeministrit Grubi, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme në pyetjen e MIA-s informuan se ka denoncim për një automjet të djegur, por në pronësi të B.L. nga Shkupi.

"Rreth orës 03:30 në rr. "Strumiçka" ka ndodhur një zjarr mbi automjetin për pasagjerë "audi" me targa të Shkupit, në pronë të dhe i parkuar nga B.L. (35) nga Shkupi", informuan nga MPB 

Foto: Fejsbuk/Artan Grubi

QËNDRONI TË LIDHUR