• e enjte, 26 dhjetor 2024

Zëvendëskryeministri Bytyqi e priti presidenten e Kosovës Osmani në vendkalimin kufitar "Bllacë"

Zëvendëskryeministri Bytyqi e priti presidenten e Kosovës Osmani në vendkalimin kufitar
Shkup, 26 prill 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për Çështje Ekonomike, Koordinim me Resorët Ekonomikë dhe Investimet, Fatmir Bytyqi, sot në vendkalimin kufitar "Bllacë" e priti presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila ndodhet në një vizitë dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me shpresë se kjo vizitë do t'i forcojë edhe më shumë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe do të japë një impuls pozitiv për zhvillimin e mëtejshëm dhe intensifikimin e bashkëpunimit të përgjithshëm.Siç informojnë nga shërbimi për shtyp i Qeverisë, zëvendëskryeministri Bytyqi u shoqërua nga Shpresa Jusufi, ambasadore e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, ambasadori Goce Karajanov, këshilltar special i presidentit Pendarovski për politikë të jashtme dhe ambasadori Kenan Ramadani, drejtor i Drejtorisë së protokollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Zëvendëskryeministri Bytyqi është pjesë e delegacionit të presidentit Stevo Pendarovski i cili është nikoqir i presidentes Osmani-Sadriu dhe do të marrë pjesë në mbledhjen plenare të delegacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, pas së cilës është planifikuar të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp e presidentëve të të dy vendeve.Në kuadër të vizitës, në kishën “Shën Spas” në Shkup, Pendarovski dhe Osmani-Sadriu, do të vendosin kurora lulesh mbi varrin e Goce Dellçevit, pas së cilës presidentja Vjosa Osmani-Sadriu do të takohet me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, me kryeministrin e Qeverisë, Dimitar Kovaçevski me ç’rast do të mbajë fjalim në seancën solemne në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Foto: Qeveria
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR