• e enjte, 26 dhjetor 2024

Xhaferi: Pozita gjeopolitike dhe politikat ekonomike na bëjnë zgjedhje atraktive për investime

Xhaferi: Pozita gjeopolitike dhe politikat ekonomike na bëjnë zgjedhje atraktive për investime

Shkup, 26 shkurt 2024 (MIA) - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, merr pjesë në Samitin investues për Ballkanin Perëndimor të Bankës Evropiane të Rindërtimit dhe Zhvillimit, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i ngarkuar për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Xhaferi, siç bëri të ditur shërbimi për informim i Qeverisë, në Samit mori pjesë në diskutimin e panelit të kryeministrave në të cilin morën pjesë kryeministra nga Ballkani Perëndimor, Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Bërnabiq, kryesuesja e Këshillit të Ministrave e Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe mikpritësi i Samitit, kryetarja e BERZH-it, Odil Reno-Baso.  
 

Në pjesën e parë të diskutimit, kryeministrat diskutuan në temën “Pse të investojnë investitorët e huaj në vendet e rajonit”.
 

"Jemi dëshmitarë të ndryshimeve të shumta, krizave, konflikteve me efekt të drejtpërdrejtë mbi të gjitha ekonomitë globale. Këtu vjen përgjigja e parë për pyetjen pse të investojnë investitorët e huaj në Maqedoninë e Veriut - dhe kjo është për shkak të çrregullimit të zinxhirëve të furnizimit global. Për shkak të afërsisë me qendrat evropiane, Maqedonia e Veriut është një nga destinacionet për vendosjen e prodhimtarisë. Kemi lokacion të mirë, ndërlidhje të mira dhe porte pranë nesh, si Selaniku dhe Durrësi, kështu që në një kohë të shkurtër produkti i prodhuar këtu mund të arrijë në një vend tjetër, respektivisht deri te destinacioni i fundit", theksoi Xhaferi.

Argumenti i dytë, siç theksoi Xhaferi, është gjendja stabile në planin makroekonomik dhe fiskal, procesi intensiv i harmonizimit të legjislacionit të brendshëm me atë të BE-së, mjedisi i favorshëm i biznesit dhe programet e zhvilluara mirë të mbështetjes për investitorët.

"Këtu e përfshijmë edhe politikën tatimore stimulative, mes tjerash edhe përmes lidhjes së marrëveshjeve për evitimin e tatimit të dyfishtë dhe evazionin tatimor. Maqedonia e Veriut nuk ka ligje që i diskriminojnë investitorët e huaj, ne i konsiderojmë si tanët – sepse të gjithë kontribuojnë për një qëllim të njëjtë – për përmirësimi e cilësisë së jetës së qytetarëve", shtoi Xhaferi.

Ai theksoi se argument i tretë janë stimulimet e konsiderueshme për kompanitë që punojnë te ne. Këto përfshijnë masa të ndryshme, përkatësisht: subvencione për krijimin e vendeve të punës dhe investime kapitale, subvencione deri në 50% të kostove të pranueshme të investimeve për kërkime dhe zhvillim dhe mbështetje për eksportuesit. Niveli i ulët i tatimit të fitimeve të sektorit të korporatave dhe të ardhurave të personave fizikë, pra norma 10% e tatimit mbi korporatat dhe tatimit mbi të ardhurat personale, stimulon rritjen e aktivitetit ekonomik dhe të investimeve. Te ne funksionojnë me sukses disa zona zhvillimore industriale teknologjike, të cilat janë veçanërisht tërheqëse për investimet e huaja, shtoi Xhaferi.

Shteti ynë, siç theksoi Xhaferi, paraprin në rajon me ligjet dhe aktet e zbatuara nënligjore që janë plotësisht në përputhje me Bashkësinë Evropiane Energjetike, që mundësojnë liberalizimin e tregut energjetik. Kemi filluar negociatat me Bashkimin Evropian dhe jemi anëtare të NATO-s. Kjo ofron stabilitet. Kemi lidhur marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në (27 vende), EFTA (4 vende), CEFTA (7 vende), Tregti bilaterale të lirë me Turqinë, Ukrainën dhe Mbretërinë e Bashkuar”.

Në pjesën e dytë të panelit, kryeministrat diskutuan për prioritetet e qeverive të rajonit si dhe për bashkëpunimin ndërkufitar.

"Republika e Maqedonisë së Veriut, me miratimin e Ligjit për energjetikë, praktikisht e liberalizon tregun në fushën e energjisë. Në këtë kontekst është edhe atraktiviteti për investime nga burimet ripërtëritëse, duke pasur parasysh se vendi  gjatë vitit ka mbi 250 ditë me diell. Dhe ka mundësi për  shfrytëzimin e fuqisë së erës në mënyrë për ta përdorur gjithashtu edhe atë burim. Rëndësi të veçantë ka lidhja elektrike-energjetike me fqinjët, në rrjedhë është projekti për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë dhe me këtë në fakt përfundon procesi i lidhjes elektrike-energjetike me të gjithë fqinjët", theksoi Xhaferi.
 
Sipas tij, infrastruktura rrugore, rrjedhimisht dhe hekurudha, pjesë e asaj infrastrukture ka rëndësi të veçantë duke pasur parasysh se vijon ndërtimi i hekurudhës Kumanovë - kufi me Bullgarinë  dhe kështu më tej  lidhemi me infrastrukturën me Bullgarinë. Korridori 8 dhe një pjesë e korridorit 10D, që mundëson lidhjen e relacionit Jon-Adriatik - Det i Zi.

"Nga pikëpamja gjeostrategjike është rëndësia e këtij korridori, veçanërisht në kontekstin e nevojave të kontekstit të NATO-s, në nevojat për lëvizjen dhe komunikim në kuptimin logjistik për situatën në rajon nga Deti i Zi, gjithsesi  edhe në Lindjen e Afërt.

Nga aspekti energjetik, gjithsesi që po punohet për interkonektorin, lidhjen e gazit me Greqinë, gjegjësisht me R. Serbisë dhe kjo është në kontekstin e nevojës së brendshme për gazifikim të RSM-së dhe në atë kontekst janë edhe projeksionet për atë lidhje.

"Këto janë kryesisht projekti, një pjesë e të cilit Kryeministri Kurti e përmendi si lidhje me Kosovën, nga ana jonë, që do të thotë gjysma qëndron si obligim dhe është nënshkruar një marrëveshje dypalëshe dhe pjesa e korridorit për lidhjen korridorit 8 me autostradën A. Xhaferi mjetet për pjesën e aksit rrugor janë të siguruara financiarisht,  në rrjedhë është procedura për zgjedhjen e kontraktorit dhe të fillojë  ndërtimi i atij aksi rrugor. I gjithë rajoni është i lidhur me autostradë dhe kjo kontribuon në shpejtësinë e komunikimit në aspektin ekonomik, gjegjësisht çfarë do të ishin investime edhe nga ana jonë.  Vargu i projekteve të tjera më të vogla do të thotë se nuk është as vendi dhe as nevoja për t'i përmendur në mënyrë taksative, por ka mjaft projeksione që janë në rrjedhë dhe që janë interesante për praninë e investitorëve të huaj që janë të mirëseardhur", theksoi Xhaferi. fc/

Видео:

Фото/видео: Влада на РСМ

QËNDRONI TË LIDHUR