• e shtunë, 23 nëntor 2024

Xhaferi për thirrjen e Aliut që të zhbllokohen ligjet për MSHIA-n: Unë nuk punoj nën ultimatume

Xhaferi për thirrjen e Aliut që të zhbllokohen ligjet për MSHIA-n: Unë nuk punoj nën ultimatume

Shkup, 29 janar 2024 (MIA) - Nuk jam njeri i cili punon nën ultimatume, nëse dikush thotë se do ta bëj këtë, nëse veproni kështu apo ashtu, deklaroi në konferencë për shtyp kryeministri teknik Talat Xhaferi gjatë marrjes së detyrës sot nga kryeministri i deritashëm Dimitar Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me deklaratën e fundit të ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, se nëse nuk zhbllokohet pakoja e ligjeve të MSHIA-s, do të japë dorëheqje.

"Unë në parim nuk punoj ashtu, nuk është në natyrën time të pranoj ultimatume. Secili ka lirinë e tij siç të vlerësojë se duhet të veprojë, le të veprojë, ndërsa për pasojat le të mendojnë subjektet nga vijnë. Ky është qëndrimi. Unë hipotetikisht nuk do të flasë se çfarë do të ndodhë dhe çfarë nëse do të ndodhte. Ia lë situatës konkrete dhe si të gjejmë zgjidhje për t'i tejkaluar gjërat", tha Xhaferi.

Azir Aliu  në konferencën për media javën e kaluar u bëri thirrje deputetëve që të shqyrtojnë siç tha ai që nesër të gjitha dilemat lidhur me pakon e ligjeve të propozuara nga MSHIA-ja të cilat prej më shumë se një muaj janë miratuar në qeveri, ndërsa kanë ngecur në Kuvend. Bëhet fjalë për ligjet që kanë të bëjnë me administratën publike, digjitalizimin dhe median për të cilat MSHIA ka punuar prej kohësh dhe të cilat, siç ka thënë Aliu, janë vendimtare dhe thelbësore për lehtësimin e jetës së qytetarëve. Ai theksoi se janë të lidhura edhe me tre shtyllat – administratën, digjitalizimin dhe median nga programi i BE-së “Evropa digjitale” me të cilin në verë vendi ynë ka lidhur marrëveshje. qa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR