• e enjte, 26 dhjetor 2024

Xhaferi për Dojçe Vele: Prioritet është koordinimi i plotë institucional për të siguruar funksionalitet dhe qasje të lehtë në dokumentet e reja të udhëtimit

Xhaferi për Dojçe Vele: Prioritet është koordinimi i plotë institucional për të siguruar funksionalitet dhe qasje të lehtë në dokumentet e reja të udhëtimit

Shkup, 9 shkurt 2024 (MIA) - Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi deklaroi se nuk përjashtohen komunikimet me të gjitha palët e interesuara që mund ta lehtësojnë procesin me dokumentet udhëtimit.

“Ne së pari duhet të marrim masa dhe aktivitete që janë në kompetencën dhe përgjegjësinë tonë. Nuk përjashtohen komunikimet me të gjitha palët e interesuara që mund të lehtësojnë procesin. Por së pari ne duhet të përmbushim detyrimet tona këtu, të zbatojmë detyrimet tona. Ajo që nuk mund të përfundohet është subjekt i shqyrtimit të mëtejshëm dhe në atë rrugë do të komunikohen të gjithë faktorët të cilët mund të ndikojnë në rregullimin e kësaj gjendje, që të plotësohen të gjitha obligimet në afat të duhur, kohë dhe procedurë për të siguruar funksionalitetin e nevojave të njerëzve", tha kryeministri Xhaferi, i pyetur nga Dojçe Vele nëse Qeveria do të ndërmarrë masa për lehtësimin e gjendjes me dokumentet e udhëtimit edhe në komunikim me Greqinë.
 
Në pyetjen nëse më 12 shkurt Republika e Maqedonisë së Veriut, Qeveria, ka obligim të informojë botën se ato dokumente udhëtimi nuk janë më të vlefshme, Kryeministri Xhaferi theksoi se këto janë norma dhe rregullore ndërkombëtare që janë në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por theksoi se do të bëhen konsultime të duhura në nivel të Qeverisë, konsultime me institucionet ndërkombëtare dhe pas konsultimeve do të ketë një vendim përfundimtar nëse do të vazhdohet apo jo me atë procedurë.

Në lidhje me pyetjen se a do të zgjidhet gjendja së shpejti dhe a do të përshpejtohet procedura e pasaportave, Kryeministri Xhaferi është përgjigjur se ajo që është përgjegjësi e Qeverisë do të rregullohet me vendime përkatëse, por më tej, siç tha Kryeministri, vendimet duhet të zbatohen në mënyrë operative nga institucionet përkatëse.

“Kjo çështje nuk varet vetëm nga ministri, kryeministri apo Qeveria. Ky është një konglomerat detyrimesh që nga punonjësi i fundit në MPB e deri te punonjësi i fundit në Qeveri dhe kjo punë duhet të jetë e koordinuar. Është një sistem që ka një hierarki dhe duhet të funksionojë. Është sistem vartësie në institucione”, tha Xhaferi në intervistë pëlr Dojçe Vele. bsh/

Foto: Qeveria e RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR