• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Xhaferi- Osmani: Mbështetje nga Maqedonia e Veriut për aspiratat euroatlantike të Kosovës

Xhaferi- Osmani: Mbështetje nga Maqedonia e Veriut për aspiratat euroatlantike të Kosovës

Shkup, 15 prill 2024 (MIA)- Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën “Forumi ndërkombëtar për gra, paqe dhe siguri” në Prishtinë, realizoi takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu. Xhaferi e falënderoi Osmanin për mikpritjen e bërë dhe për ftesën për pjesëmarrje në konferencën e cila është në organizim të presidentes kosovare.

Siç njofton Pres shërbimi qeveritar në takim u theksua zotimi i të dy vendeve për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe sfidat aktuale në planin rajonal dhe shumëpalësh, a në lidhje me situatën e sigurisë dhe progresin ekonomik të rajonit dhe më gjerë.

Në fokus të bisedës ishin marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe mundësitë për avancimin e tyre, në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Kryeministri Xhaferi, e rikonfirmoi qëndrimin se Maqedonia e Veriut, në frymën e fqinjësisë së mirë, jep  mbështetje për aspiratat euroatlantike të Kosovës, si dhe mbështetje për bashkëngjitjen aktive të Kosovës në forumet e përhershme dhe nismat rajonale.

Bashkëbiseduesit këmbyen opinione për integrimin e plotë të të gjitha vendeve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo nënkupton siguri, stabilitet dhe progres të përgjithshëm për të gjithë qytetarët. Në këtë drejtim, Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi se shteti ynë, si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, është i gatshëm që njohuritë dhe përvojën e fituar t'i vë në dispozicion të Kosovës.

Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi se Maqedonia e Veriut e përcjell situatën ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe e mbështet dialogun, duke potencuar se nevojitet konstruktivitet nga të dyja palët dhe se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin obligimet e marra nga Brukseli dhe Ohri.

Xhaferi dhe Osmani së bashku konstatuan se zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë imperativ absolut për të gjithë.

Foto: Qeveria e RMV-së 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR